Rrjeti i ri social që premton se s’do ta censurojë askënd, aplikacioni më i shkarkuar në App Store

  • G.G /
  • 16 November 2020 - 12:49
Rrjeti i ri social që premton se s’do ta censurojë askënd, aplikacioni më i shkarkuar në App Store

Rebekah Mercer, një ndër donatoret më të mëdha konservatore në Shtetet e Bashkuara, tha të shtunën e kaluar se po ndihmonte për të financuar Parler, një rrjet social i ri, i etiketuar si “konservator”, por që javën e kaluar ishte në vend të parë të shkarkimeve në App Store.

Rebekah është vajza e Robert Mercer, një financiar dhe bashkëthemelues i Cabridge Analytica, një kompani tashmë e mbyllur, që merrej me analizimin e të dhënave politike. Familja Mercer ka treguar gjithmonë mbështetje të hapur për presidentin Donald Trump dhe kauzat konservatore.

Rebekah Mercer, bashkëthemeluese dhe financuese e Parler

“Unë dhe John krijuam Parler për të siguruar një platformë neutrale për fjalën e lirë, dhe për të krijuar një rrjet social që mbron privatësinë e të dhënave”, thuhet në një deklaratë të Mercer lidhur me platformën. “Duke parë tiraninë e gjigantëve të teknologjisë, duhej që dikush të udhëheqë luftën kundër përvetësimit të të dhënave dhe mbrojtjen e fjalës së lirë online. Këtë e bën Parler”.

Parler u krijua në vitin 2018 nga Mercer, John Matze dhe Jared Thomson. Rrjeti social e quan veten si të paanshëm dhe një vend ku njerëzit mund të flasin lirshëm dhe të shprehin pikëpamjet e tyre. Platforma duket si një përzierje mes Twitter dhe Instagram, ku ka një faqe kryesore, ndjekës dhe mënyra për të ndarë postime dhe lajme nga faqe të ndryshme në internet.

Në 8 nëntor, kur shumica e mediave kryesore në SHBA thanë se sipas projeksioneve të tyre Joe Biden kishte fituar zgjedhjet presdienciale, Parler ishte aplikacioni falas më i shkarkuar në App Store.

Në këtë rrjet, kanë krijuar llogari më së shumti persona me prirje konservatore, që në SHBA mbështesin Partinë Republikane. Disa prej përdoruesve më të famshëm janë gazetari i Fox News, Sean Hannity, senatori republikan, Ted Cruz, dhe djemtë e presidentit Trump, Don Jr. dhe Eric.

Kjo “rrjedhje” e ndjekësve nga Twitter dhe Facebook erdhi pasi, sidomos i pari, ka etiketuar një numër të madh të postimeve të presidentit Trump me shënime që hedhin dyshime ose i quajnë të pavërteta pretendimet e tij. Disa nga postimet e Trump në Twitter madje u fshehën dhe ndjekësit duhet të kalojnë paralajmërimin për të parë atë që ka ai ka shkruar.

Familja Mercer, gjithmonë, ka mbështetur kauzat konservatore, duke ndihmuar në publikime kundër Hillary Clinton e duke mbështetur senatorin Ted Cruz në fushatën e tij për t’u bërë kandidati republikan presidencial në 2016.

Rebekah Mercer nuk i pëlqen daljet në media, por mendohet se ishte ajo që këshilloi presidentin Trump që të merrte në punë Steve Bannon dhe Kellyanne Conway gjatë fushatës presidenciale dhe më pas ishte pjesëtare e komitetit ekzekutiv në skuadrën që u mor me kalimin e pushtetit nga Obama te Trump.

(Kosova Sot Online)