Tani mund t’iu vijë njoftim në telefon nëse keni qenë pranë dikujt me koronavirus

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 11:17
Tani mund t’iu vijë njoftim në telefon nëse keni qenë pranë dikujt me koronavirus

Teksa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus rritet ndjeshëm në SHBA, zyrtarët e shëndetësisë i kanë kthyer sytë drejt telefonave celularë për t’i ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së infeksionit.

Falë teknologjisë në telefonat me sistem operativ të Apple apo Google, përdoruesve mund t’iu vijnë njoftime në kohë reale, në disa shtete, nëse janë apo kanë qenë pranë dikujt, pasi ai del pozitiv te një test për Covid-19. Njoftimi vjen përmes aplikacioneve të departamenteve shtetërore të shëndetësisë që përdorin teknologjinë Bluetooth për të pikasur kur personat (më saktë telefonat e tyre) janë pranë telefonit të personave të infektuar.

Edhe pse njoftimi nuk mbron drejtpërdrejtë, sepse vjen në telefon pasi personi me të cilin mund të kenë pasur kontakte merr rezultatin e testit, ai shërben për të mbrojtur të tjerët rreth tyre, duke shmangur kontaktet, apo duke u vetizoluar pas marrjes së njoftimit.

CNN raporton se miliona vetë janë duke u regjistruar në këto aplikacione, edhe pse nuk janë funksionalë në shumë shtete. Autoritetet e shëndetësisë besojnë se këto njoftime mund të ndihmojnë sidomos në rastin kur persona të infektuar kanë pasur kontakte me të panjohur, si në autobusë, trena apo duke mbajtur radhën.

Ekspertët e teknologjisë thonë se përdorimi i teknologjisë Bluetooth, dhe jo GPS, është bërë për të ruajtur anonimatin e personave të infektuar dhe për të ulur shqetësimet për sigurinë në lidhje me privatësinë.

(Kosova Sot Online)