Valuta dixhitale, Bitcoin, arrin vlerë rekorde

  • E.K /
  • 01 December 2020 - 14:50
Valuta dixhitale, Bitcoin, arrin vlerë rekorde

Sipas ofruesit të të dhënave rreth vlerës së valutave, “Coindesk”, valuta dixhitale “Bitcoin” ka arritur vlerë rekorde në treg prej 19.920.53 dollarësh.

Ky rekord erdhi gati tri vjet pas rekordit të mëparshëm, kur vlera e saj ishte për rreth 137 dollarë më e ulët, shkruan BBC.

Analistët thonë se disa investitorë e kanë trajtuar valutën “Bitcoin” si aset të sigurt në kohën e pasigurisë së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Sidoqoftë, disa të tjerë thonë se vlera e kësaj valute mbetet e paqëndrueshme.

Vlera e kësaj valute ra nën 3.300 dollarë në një pikë të caktuar pasi e kishte arritur rekordin e kaluar.

Disa faktorë të tjerë që e kanë favorizuar rritjen e vlerës së kësaj valute e përfshijnë edhe vendimin e kompanisë “PayPal” që platforma e saj të përdoret për shitjen dhe blerjen e valutave virtuale në tetor.

Sipas një analisteje të kësaj fushe, Rhian Lewis, një faktor tjetër që po i shqetëson investitorët për gjendjen ekonomike dhe që po i nxit ata drejt valutave virtuale është shqetësimi për përpjekjen e bankave qendrore për t’u përballur me pandeminë dhe mundësia që kjo ta rrisë inflacionin.

Tradicionalisht, ari dhe metalet tjera të çmuara shfrytëzohen për t’u siguruar kundër një rreziku të tillë.

(Kosova Sot Online)