Ekonomia gjermane u tkurr për kaq për qind vitin e kaluar, shkak pandemia

  • E.K /
  • 14 January 2021 - 11:55
Ekonomia gjermane u tkurr për kaq për qind vitin e kaluar, shkak pandemia

Ekonomia e Gjermanisë u tkurr për 5 për qind gjatë vitit të kaluar. Rënia ishte më e vogël sesa pritej falë masave të fuqishme ndihmëse të qeverisë, të cilat e kufizuan ndikimin e pandemisë në ekonomi, tha Zyra e Statistikave.

Rënia e vlerës së prodhimit vendor ishte pak më e vogël se parashikimi i agjencisë Reuters prej 5.1 për qind dhe më e vogël se rënia rekorde prej 5.7 për qind në vitin 2009 gjatë krizës financiare globale.

Koalicioni qeveritar i kancelares Angela Merkel që nga marsi i vitit të kaluar ka marrë masa të jashtëzakonshme për rimëkëmbje ekonomike, shkruan Reuters.

Konsumi privat ra për 6 për qind në krahasim me vitin paraprak, ndërsa rënie u shënua edhe në investimet e kompanive në pajisje.

Zyra e Statistikave njoftoi se eksportet ranë për 10 për qind, ndërsa importet për 8.6 për qind. Kjo lë të kuptohet se raporti pozitiv tregtar i ekonomisë më të fuqishme në Evropë është ngushtuar për shkak të pandemisë.

Shifra pozitive pati vetëm sa u përket shpenzimeve qeveritare, të cilat u rritën për 3.4 për qind, dhe sektori i ndërtimtarisë, ku investimet u shtuan për 1.5 për qind.

(Kosova Sot Online)