Twitter-i s’e ndal dorën, ia bllokon llogarinë kuvendit të një shteti

  • A.P /
  • 22 January 2021 - 16:01
Twitter-i s’e ndal dorën, ia bllokon llogarinë kuvendit të një shteti

Pasi ia mbylli llogarinë ish-presidentit amerikan, Donald Trump, rrjeti social, Twitter, papritmas ia pezulloi llogarinë edhe Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, anëtarët e së cilës janë zgjedhur nga populli.

Në faqen zyrtare të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës në Twitter, @LaNuevaAsamblea, të enjten vonë shfaqej vetëm njoftimi “Llogari e pezulluar”, shkruan Anadolu.

Zyrtarët e këtij rrjeti ende nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë zyrtare rreth masës për pezullimin e llogarisë së Kuvendit të Venezuelës.

Përbërja e re e kësaj asambleje u formua pas zgjedhjeve të 6 dhjetorit, të cilat i fitoi partia në pushtet me mbi 67 për qind të votave.

Në anën tjetër, Twitter-i nuk e pezulloi llogarinë e asamblesë së ish-opozitës, @AsambleaVE. Kjo asamble udhëhiqej nga Juan Guaido, politikan opozitar që e shpalli veten president të Venezuelës më 2019.

Më 8 janar, Twitter-i i pezulloi mbi dhjetë llogari të individëve të lidhur me ushtrinë dhe qeverinë e Venezuelës.

(Kosova Sot Online)