Italia kërkon që TikTok-u t’i bllokojë përdoruesit pas vdekjes së vajzës 10-vjeçe

  • E.K /
  • 23 janar 2021 - 12:27
Italia kërkon që TikTok-u t’i bllokojë përdoruesit pas vdekjes së vajzës 10-vjeçe

Agjencia italiane për privatësinë e të dhënave të premten e urdhëroi aplikacionin TikTok që t’i bllokojë llogaritë e secilit përdorues moshën e të cilit nuk mund ta vërtetojë. Ky vendim u mor pas vdekjes së një vajze 10-vjeçe që e kishte përdorur këtë aplikacion.

Në një deklaratë, rregullatori tha se ndonëse TikTok-u është zotuar që do ta ndalojë regjistrimin e fëmijëve nën moshën 13-vjeçare, është e lehtë që kjo rregull të anashkalohet.

Si rezultat, TikTok-u u urdhërua që t’i bllokojë llogaritë e pavërtetuara të përdoruesve deri së paku më 15 shkurt dhe të presë të dhënat tjera nga autoritetet, shkruan Reuters.

Vendimi i autoriteteve italiane u mor pasi një vajzë 10-vjeçe vdiq nga asfiksia në Palermo. Ky rast e ka shokuar Italinë.

Prindërit e saj kanë thënë se vajza po merrte pjesë në sfidën e ashtuquajtur “blackout” në TikTok, duke vendosur rrip rreth qafës dhe duke e mbajtur frymën dhe njëkohësisht duke e incizuar veten me telefon.

Prokurorët kanë hapur hetime për nxitje të mundshme të vetëvrasjes dhe janë duke hulumtuar nëse dikush e ka nxitur vajzën që të marrë pjesë në këtë sfidë.

Një zëdhënëse e këtij aplikacioni në Itali tha: “Privatësia dhe siguria janë prioritete absolute për TikTok-un dhe ne vazhdimisht jemi duke punuar për t’i fuqizuar politikat tona, proceset dhe teknologjitë tona për t’i mbrojtur komunitetin dhe përdoruesit e rinj në veçanti”.

(Kosova Sot Online)