Harrojeni TikTok! Si funksionon aplikacioni Clubhouse dhe pse po bëhet kaq i famshëm

  • E.K /
  • 06 February 2021 - 09:07
Harrojeni TikTok! Si funksionon aplikacioni Clubhouse dhe pse po bëhet kaq i famshëm

Është gjysmë Facebook, gjysmë podcast dhe trendi i momentit! Rrjeti i ri social me bazë audio, i quajtur Clubhouse, ka qenë në qendër të vëmendjes që kur u lançua në mars, por fundjavën që lamë pas, ai mori një famë të madhe kur Elon Musk filloi ta përdorte. Njeriu më i pasur në botë, Musk, u shfaq në aplikacion të dielën në mbrëmje për të biseduar me Vlad Tenev, CEO i Robinhood, aplikacioni për tregtimin e aksioneve.

Biseda e Musk krijoi aq shumë bujë, sa aksionet për një kompani me emër të ngjashëm, por që është krejtësisht e palidhur me aplikacionin social Clubhouse Media Group, i kaluan 117%, njoftoi Reuters.

Por si funksionon Clubhouse?

Analisti i softuerit Jordan Minor e përshkroi rrjetin si "nëse Twitter do të ishte një podcast ku të jetonit brenda."

"Clubhouse është një hapësirë për biseda të rastësishme, audio, me miq dhe njerëz të tjerë interesantë në të gjithë botën", thuhet në vetë-përshkrimin e shkurtër të Clubhouse. "Shkoni në internet në çdo kohë për të biseduar me njerëzit që ndiqni, ose hyni si dëgjues dhe dëgjoni se për çfarë flasin të tjerët."

Rrjeti social i bazuar në audio nuk përmban fotografi ose video, vetëm dhoma bisedash publike dhe private. Përdoruesit kanë vetëm fotografi të profilit dhe ndjekës. Bisedat nuk regjistrohen. Kur përdoruesit duan të flasin, ata virtualisht ngrenë dorën. Krijuesit dhe moderatorët e dhomave përcaktojnë se kujt t'i japin leje për të folur. Aplikacioni është i vlefshëm vetëm për iPhone.

Gjuha e urrejtjes, seksizmi dhe abuzimi nuk janë të lejuar, ndërsa një zëdhënëse e aplikacionit tha për Reuters se tashmë u është dashur të ndalojnë disa përdorues.

Si lindi?

Fillimi i Clubhouse përkoi me fillimin e pandemisë së koronavirusit, në mars të 2020-ës. Aplikacioni me bazë në San Francisko drejtohet nga kompania Alpha Exploration Co. Aplikacioni ka rreth 10 punonjës, i tha një zëdhënëse Reuters.

Të famshëm, përfshirë Kevin Hart, Drake dhe Tiffany Haddish janë përdorues të aplikacionit.

(Kosova Sot Online)