Facebook-u bllokon shpërndarjen e lajmeve në Australi

  • E.K /
  • 18 shkurt 2021 - 09:29
Facebook-u bllokon shpërndarjen e lajmeve në Australi

Rrjeti i njohur social, Facebook, e ka bllokuar shpërndarjen e lajmeve në platformën e vet në Australi, duke shkaktuar alarm rreth qasjes së publikut në informatat thelbësore.

Ky vendim erdhi si reagim ndaj një ligji të propozuar me të cilit gjigantët e teknologjisë duhet të paguajnë për përmbajtjet me lajme në platformat e tyre, shkruan BBC.

Australian u zgjuan të enjten për të parë se të gjitha faqet vendore dhe ndërkombëtare të lajmeve në Facebook ishin të paqasshme.

Përpos faqeve të lajmeve, rrjeti social bllokoi edhe disa faqe qeveritare të shëndetësisë dhe emergjencave, ndonëse më vonë u tha se kjo masë ishte gabim.

Edhe përdoruesit jashtë Australisë nuk do të kenë mundësi që të lexojnë postime të faqeve australiane të lajmeve në Facebook.

Qeveria australiane e ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke thënë se ai e paraqet fuqinë e madhe në treg të gjigantëve digjitalë.

Sidoqoftë, Google, ndryshe nga Facebook, ditëve të fundit ka nënshkruar marrëveshje për pagesë me tri mediume të njohura australiane.

(Kosova Sot Online)