Shkencëtarët: Inteligjenca Artificiale nuk përbën një kërcënim

  • A.P /
  • 25 April 2021 - 20:00
Shkencëtarët: Inteligjenca Artificiale nuk përbën një kërcënim

Ne ndeshemi çdo ditë me Inteligjencën Artificiale (AI). AI dominon sistemet kompjuterike, të cilat janë në gjendje të kryejnë detyra, që normalisht kërkojnë inteligjencë njerëzore. Kur kërkoni diçka në internet, rezultatet kryesore që shihni përzgjidhen nga AI.

Çdo  rekomandim që merrni nga faqet e preferuara të blerjeve apo lajmeve në internet, do të bazohet gjithashtu në një algoritëm të Inteligjencës Artificiale. Këto algoritme përdorin historinë e shfletuesit tuaj, për të gjetur gjëra që mund t’ju interesojnë.

Librat fantastiko-shkencorë, preferojnë ta përshkruajnë AI si robotë super inteligjentë, që në një moment do të arrijnë tanënshtrojnë njerëzimin. Disa njerëz besojnë se ky skenar mund të bëhet një ditë realitet.

Figura të njohura të shkencës, përfshirë të ndjerin Stefën Houking, kanë shprehur frikën se si AI e ardhshme mund ta kërcënojë njerëzimin. Për të adresuar këtë shqetësim ne pyetëm 11 ekspertë të fushës “A përbën Inteligjenca Artificiale një kërcënim ekzistencial për njerëzimin?”.

82 për qind prej tyre thanë se nuk është një kërcënim ekzistencial. AI përdoret gjerësisht në shumë aplikacione si njohja e fytyrës, makinat që drejtohen vetë, dhe për rekomandimet në internet. Një lloj tjetër i AI quhet  Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale (AGI).

Ajo imiton inteligjencën njerëzore, përfshirë aftësinë për të menduar dhe zbatuar inteligjencën në zgjidhjen e shumë problemeve të ndryshme. Disa njerëz besojnë se AGI është i pashmangshëm, dhe do të jetë në dispozicion vitet e ardhshme. Por disa e kundërshtojnë këtë optimizëm.

(Kosova Sot Online)