Pronari i Google ia sheh hairin pandemisë, fitimi i rritet për 162 për qind

  • E.K /
  • 28 April 2021 - 09:40
 Pronari i Google ia sheh hairin pandemisë, fitimi i rritet për 162 për qind

Kompania “Alphabet”, e cila e ka në pronësi të famshmen “Google”, ka shënuar rekord të fitimit, pasi njerëzit e mbyllur në shtëpi gjatë pandemisë i përdorën më shumë shërbimet e saj.

Fitimi neto u rrit për 162 për qind dhe shkoi në nivel rekord prej 17.9 miliardë dollarësh në tre muajt e parë të këtij viti, pasi të hyrat nga reklamat u rritën për një të tretën, shkruan BBC.

Shifra rekorde u shënua në kohën kur gjiganti i teknologjisë po përballet me mbikëqyrje të shtuar rreth fuqisë së saj dhe kur pandemia i ka kthyer njerëzit nga interneti më shumë se kurrë më parë.

“Gjatë vitit të kaluar, njerëzit i janë kthyer Google Search-it dhe shumë shërbimeve online për të qëndruar të informuar, të lidhur dhe të zbavitur”, tha shefi ekzekutiv i kompanive “Alphabet” dhe “Google”, Sundar Pichai.

Analistët kanë pritur performancë të mirë të kësaj kompanisë, sepse ekonomitë në mbarë botën kanë vazhduar që të rihapen, duke nxitur më shumë shpenzime në reklamat në internet.

Duke e pasqyruar këtë gjendje, të hyrat nga Google Search u rritën për 30 për qind dhe shkuan në 31.9 miliardë dollarë në çerekun e parë të vitit, ndërsa shitjet në YouTube i rritën për 49 për qind dhe shkuan në 6 miliardë dollarë.

(Kosova Sot Online)