Çfarë janë dhe si funksionojnë kriptomonedhat?

  • A.P /
  • 30 May 2021 - 09:36
Çfarë janë dhe si funksionojnë kriptomonedhat?

Kriptomonedhat kanë filluar për herë të parë qarkullimin e tyre gjatë krizës së madhe ekonomike globale, si një ofertë dhe vizion i parave jashtë sistemit bankar. Që prej krijimit të tyre, ulje-ngritjet kanë qenë të shumta, por diskutimet mbi to, kanë parë vetëm rritje.

Më e vlefshmja dhe e tregtuara prej tyre është Bitcoin-i. Vlera e tij në treg, përllogaritet në tërësi rreth 700 miliardë dollarë.

Pavarësisht kësaj, një postim i vetëm në Twitter, mund ta zbresë vlerën e tij ndjeshëm!

Krisje dhe rënie të tilla, janë shqetësuese për të gjithë investitorët në kriptovaluta. Alternativa që ato qasin është e admirueshme, por këto komplikime dhe luhatje, bëhen të papërballueshme për disa.

Raste, ka pasur edhe mbi abuzimet që janë kryer në emër të kriptomonedhave. Kryesisht, ato të rasteve të mashtrimit. Raste, të cilat kanë krijuar hezitim tek njerëzit për investimin mbi to.

Por çfarë janë realisht kriptovalutat?

Pjesët e koduara digjitale, të cilat mund të trajtohen si asete, futen në kategorinë e kriptovalutave. Këto “monedha”, prodhohen në blloqe dhe janë të pa gjurmueshme, si në aspektin teknologjik, ashtu edhe në atë transaksional.

Pikërisht për këtë fakt, ato ofrojnë më shumë autonomi dhe privatësi në blerje.

Kompjuterë të fuqishëm me aftësi zgjidhëse të ekuacioneve, kryejnë një proces që quhet “minim”. Në këtë mënyrë, ato prodhojnë kriptovaluta.

Bitcoini është më i vjetri në treg, por edhe prurje të reja kanë marrë vlerë të shtuar vitet e fundit. Ndër to, është edhe Ethereum-i. Ato përdoren për shit-blerje në mënyrë të gjerë botërisht.

Që prej 2009-ës, monedhat virtuale kanë ngjallur interes të madh tek njerëzit. Tashmë, 12 vjet më vonë, Bitcoin-i performon në vlera rreth 45-50 mijë dollarë. Gjithsesi, valuta ka kapur edhe rekorde prej mbi 60 mijë dollarësh.

Por, stabiliteti, mbetet i brishtë.

Llojet e ndryshme të kriptovalutave

Bitcoin-i është një ndër llojet e kriptovalutave, por ato nuk ndalen aty. Lloje të tjera monedhash virtuale janë në qarkullim.

Ndër to, janë edhe alt-coins. Ndërkohë që Bitcin-i mbetet mbreti i kriptove, alt-coin-et janë të bazuara në modelin e tij.

Ethereum-i për shembull, është një ndër to. Avantazhi i tij, është se transaksionet ndodhin në mënyrë të menjëhershme. Gjithsesi, një pjesë e madhe e tyre, janë krijuar thjesht për shaka dhe jo për përdorim të vërtetë në treg.

Mbi këtë fakt, ato mund të dalin edhe mbi pritshmëritë dhe një shaka mund të kthehet në monedhën kripto të radhës.

Ato kalojnë në inflacion të lartë në një pikë dhe më pas kryesisht kalojnë në deflacion. Ky proces i zhvlerëson ato dhe i kthen në gjendjen fillestare – thuajse të pavlefshëm.

Stablecoin-et janë gjithashtu lloje të monedhave kripto. Këta të fundit janë më të ngjashëm me valutat që njihen sot, por me ndryshimin se nuk janë fizikisht të menaxhueshme. Vetë bankat janë duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit të tyre.

Një ndër më të rëndësishmet, është Tether-i, i cili momentalisht mbart një vlerë rreth 60 miliardë dollarë në treg. Gjithsesi, për shkak të mungesës së transparencës, ata janë shpesh herë të sulmuar, edhe ligjërisht.

Vetë bankat po shohin mundësinë e krijimit të një valute digjitale, e cila do të universalizojë monedhat shtetërore dhe do të bëjë më të thjeshtë tranzicionin nga “cash” në “digjital”.

Projektet më të avancuara deri më tani janë ato kineze, suedeze dhe një projekt lokal në Bahamas.

Pas nuk mbeten as SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe.

Gjithsesi, për një të ardhme tërësisht kripto, duhet ende shumë kohë. Të paktën, deri sa të dakordësohet, cila do të jetë valuta përfaqësuese e një tregu të unifikuar global.

Momentalisht, duhet të qëndrojmë në rrymën digjitale të kriptovalutave sipas ndarjeve të tyre.

 (Kosova Sot Online)