Mercedesi spiunoi, BE-ja “sakaton” BMW-në e VW-në, 875 milionë euro gjobë për marrëveshje të fshehtë

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 12:55
Mercedesi spiunoi, BE-ja “sakaton” BMW-në e VW-në, 875 milionë euro gjobë për marrëveshje të fshehtë

Komisioni Evropian tha të enjten se tre prodhues gjermanë të veturave i kanë shkelur rregullat e BE-së për shkelje të besimit duke e kufizuar konkurrencën rreth pastrimit të gazrave për veturat e reja me naftë dhe ndëshkoi kompanitë BËM dhe Volkswagen Group me gjithsej 875 milionë euro.

Komisioni tha se këto tri kompani kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë rreth zhvillimit teknik në fushën e pastrimit të oksidit të azotit, por prodhuesi tjetër gjerman, Daimler, që e prodhon veturën e njohur, Mercedes-Benz, shpëtoi pa u dënuar për shkak se e zbuloi ekzistimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan Reuters.

“Pesë prodhuesit, Daimler, BMW, Volkswagen, Audi dhe Porsche posedonin teknologji për ta pakësuar lëshimin e dëmshëm të gazrave përtej asaj që kërkohej ligjërisht sipas standardeve të BE-së. Por ato e shmangen konkurrencën për përdorimin e potencialit të plotë të kësaj teknologjie për ta pastruar ajrin më mirë sesa që kërkohet me ligj”, tha shefja e departamentit të BE-së kundër shkeljes së besimit, Margrethe Vestager.

Kompania Volkswagen tha se është duke e shqyrtuar mundësinë që të marrë masa ligjore kundër kësaj gjobe, duke theksuar se ndëshkimi rreth bisedimeve teknike për teknologjinë e gazrave me prodhuesit tjerë vendos një precedent të kontestueshëm.

Prodhuesi tjetër gjerman i veturave, BMW, u pajtua me propozimin e Komisionit Evropian për të paguar gjobë prej 373 milionë eurosh, duke thënë se është liruar nga dyshimet për përdorim të pajisjeve ilegale për të mashtruar në testin e lirimit të gazrave.

(Kosova Sot Online)