Vlera e “Facebook” arrin në 1 trilionë dollarë!

  • A.P /
  • 09 August 2021 - 14:06
Vlera e “Facebook” arrin në 1 trilionë dollarë!

Një gjykatë federale në SHBA ka hedhur poshtë dy padi anti-trust të paraqitura kundër “Facebook”. Gjykatësi vendosi se paditë ishin shumë të vakëta, raporton “Business Insider”.

Pas këtij lajmi, aksionet e “Facebook” u rritën me 4.2 për qind e kjo bëri që vlera në treg e gjigantit të medias sociale të arrinte në mbi 1 trilionë dollarë për të parën herë në histori.

Në vendimin e gjykatës së distriktit të Kolumbias, Gjykatësi shkruante se ankesat kundër “Facebook”, ishin ligjërisht të pamjaftueshme dhe si të tilla duheshin rrëzuar, pasi nuk përmbanin fakte të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet se “Facebook” po anashkalonte konkurrencën.

Paditë kërkonin që gjiganti i teknologjisë që zotëron edhe “Instagramin” dhe “WhatsApp”, të ndahej. Ndërkohë, disa analistë thonë se ky vendim i gjykatës do të ketë pasoja për të ardhmen e ligjeve anti-konkurrencë në SHBA.

“Facebook” i bashkohet kështu radhës së kompanive me vlerë mbi 1 trilionë dollarë duke kapur aktualisht në treg vlerën e 1.008 trilionë dollarëve.

Në listën e kompanive teknologjike amerikane që e kanë kaluar vlerën e 1 trilionë dollarëve, “Facebook” është i vetmi i krijuar në vitet 2000.


(Kosova Sot Online)