Thirrja e shtetit të BE-së: Hidhni e mos i blini telefonat kinezë, ja arsyeja

  • G.G /
  • 22 September 2021 - 11:27
Thirrja e shtetit të BE-së: Hidhni e mos i blini telefonat kinezë, ja arsyeja

Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë ka rekomanduar që qytetarët të mos blejnë telefona kinezë, ndërsa ata që kanë të tillë t’i largojnë nga përdorimi, pasi një raport qeveritar zbuloi se këta telefona kanë kapacitete për censurim.

Organi lituan për siguri kibernetike tha të martën se telefonat e kompanive kineze, “Xiaomi”, janë të prodhuar për të vërejtur dhe censuruar terma të caktuar si “Tibeti i lirë”, “rroftë pavarësia e Tajvanit” ose “lëvizje për demokraci”.

Kjo veçori është çaktivizuar në telefonin Xiaomi Mi 10 T për rajonin e Bashkimit Evropian, por mund të aktivizohet në çfarëdo kohe, thuhet në raportin e qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes në Lituani.

“Rekomandimi ynë është që të mos blihen telefona të rinj kinezë dhe të hidhen ata që tashmë janë blerë sa më shpejt që është e mundshme në mënyrë të arsyeshme”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Marigiris Abukevicius, përderisa po e paraqiste raportin para gazetarëve.

Prodhuesi i njohur kinez i telefonave, Xiaomi, nuk i është përgjigjur kërkesës për koment, shkruan CNN.

Ndryshe, raportet mes Lituanisë dhe Kinës janë përkeqësuar së fundi. Kina muajin e kaluar i kërkoi Lituanisë që ta tërheqë ambasadorin e vet nga Pekini dhe tha se do ta largojë edhe ambasadorin e saj nga Vilniusi. Mosmarrëveshja ka të bëjë me qëndrimet e ndryshme rreth Tajvanit.

(Kosova Sot Online)