Një shtet tha se ka qasje ekskluzive në sistemin e Facebook-ut, Meta e mohon

  • E.K /
  • 02 November 2021 - 10:18
Një shtet tha se ka qasje ekskluzive në sistemin e Facebook-ut, Meta e mohon

Pronarja e rrjetit “Facebook”, “Meta Platforms”, të martën e mohoi pretendimin e qeverisë kazake se i është dhënë qasje ekskluzive në sistemin e raportimit të përmbajtjes në gjigantin e rrjeteve sociale.

Në atë që e cilësoi deklaratë të përbashkët me Facebook-un, qeveria kazake të hënën e përmendi qasjen e pretenduar ekskluzive si zgjidhje kompromisi, pasi Kazakistani kërcënoi se do ta bllokonte Facebook-un për miliona përdorues lokalë.

Qeveria e Kazakistanit ka thënë se një marrëveshje do ta drejtojë procesin e largimit të përmbajtjes së vlerësuar si të paligjshme nga Kazakistani, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, zëdhënësi i kompanisë “Meta Platforms”, Ben McConaghy, tha se firma ka një kanal të përkushtuar në internet për qeveritë përreth botës për ta raportuar përmbajtjen që ato besojnë se e shkel ligjin.

“Ne ndjekim një proces të vazhdueshëm global për t’i vlerësuar kërkesat individuale – të pavarur nga cilado qeveri – në linjë me politikat e Facebook-ut, ligjet lokale dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky proces është i njëjtë në Kazakistan si në shtetet tjera përreth botës”, thuhet në shkresën elektronike të zëdhënësit dërguar agjencisë “Reuters”.

“Meta Platforms” nuk e ka publikuar deklaratën të cilën Kazakistani e quajti të përbashkët, ndonëse një uebfaqe lokale e lajmeve, Zakon.kz, e citoi ministren kazake të Informacionit të ketë këmbëngulur se për tekstin e deklaratës ka pasur marrëveshje me kompaninë.

(Kosova Sot Online)