Kriptomonedha ‘Squid Game’ mashtron investitorët, themeluesit zhduken bashkë me paratë

  • E.K /
  • 03 November 2021 - 09:07
Kriptomonedha ‘Squid Game’ mashtron investitorët, themeluesit zhduken bashkë me paratë

Kriptomonedha që mban emrin e serialit të suksesshme “Squid Game” është zhdukur nga qarkullimi, duke i lënë investitorët nën ankthin dhe frikën se janë mashtruar.

Kriptovaluta ishte rritur me më shumë se 300,000 për qind që nga fillimi, duke u vlerësuar në mbi 2,850 dollarë, përpara se të binte papritmas në pothuajse zero kur krijuesit duket se janë zhdukur së bashku me fondet e investitorëve.

Ajo kishte nisur si projekt, duke u thënë fansave të serialit koreano-jugor se ekzistonte një kriptovalutë që ata të bashkoheshin me një version online të lojës, që do të fillonte në nëntor. 

Megjithatë, të gjithë ata investitorë dhe lojtarë tani janë lënë me gisht në gojë, me vlerën e monedhës që ka rënë afër zeros dhe me faqen e internetit të zhdukur.

Shumë ekspertë vunë re flamuj të shumtë të kuq, që sinjalizonin rrezikun e mashtrimit, ndërsa popullariteti i monedhës u rrit deri në 300 mijë për qind.

Krijuesit e saj nuk po i lejonin investitorët të rishitnin asnjë nga monedha që kishin blerë dhe nuk kishte asnjë marrëveshje zyrtare licencimi për përdorimin e pronës intelektuale të “Squid Game”.

Në atë kohë, themeluesit u thanë klientëve të tyre se po kufizonin mundësitë e shitjes së kriptomonedhave për të mbrojtur vlerën e saj dhe se një kriptomonedhë e dytë që ata po zhvillonin do t’i lejonte fituesit t’i shisnin në një fazë të dytë.

Por, investitorët kanë frikë se këto pretendime duket se kanë qenë një alibi që është përdorur për mashtrimin. 

Kjo formë mashtrimi ndodh kur themeluesit e kriptomonedhës, pasi tërheqin e transferojnë të gjitha fondet e klientëve lejojnë që vlera e monedhës të bjerë në zero, duke e bërë atë praktikisht të pavlefshme.

(Kosova Sot Online)