2021, një vit i suksesshëm për dronët. Çfarë pritet në vitin 2022?

  • G.G /
  • 31 December 2021 - 07:51
2021, një vit i suksesshëm për dronët. Çfarë pritet në vitin 2022?

Viti 2021 do të hyjë në historinë e aviacionit, sidomos në BE, si viti i konsolidimit dhe pranimit të sistemeve UAS, të njohura si dronet, si pjesëmarrës të denjë të hapësirës ajrore.

Edhe pse me pak vonesë, miratimi i rregulloreve më të rëndësishme nga ana e Komisionit Europian dhe EASA (Agjencia Europiane e Sigurisë së Aviacionit), mundësojë orientimin e sektorit të dronëve, duke vënë bazat e para ligjore të unifikuara.

Siç e kam përmendur edhe në artikuj të mëparshëm, nevoja për një harmonizim dhe adaptim të rregullave në sektorin e aviacionit civil dhe sidomos ato të menaxhimit të hapësirës ajrore, lindi nga aftësitë teknologjike që ofrojnë sot dronët e hedhura në treg.

Por, çka është më e rëndësishme, ishte e domosdoshme të merreshin masa preventive për të eliminuar në maksimum abuzimin që po i bëhej hapësirës ajrore dhe për të shmangur incidente të tjera me pasoja të paparashikuara, përfshi këtu edhe të drejtat e individit për privatësi.

Dy shtyllat kryesore të rregullores së re të BE mbi dronët përcaktojnë qartë llojet dhe karakteristikat që duhet të kenë dronët për t’u lejuar të përdoren në vendet e BE-së (Rregullorja 2019/945[1]) dhe modalitetet e operimit të dronëve (Rregullorja 2019/947[2])

Si pjesë të pandarë, Komisioni ka adaptuar dhe miratuar edhe rregulloret e mëposhtme, si një hap më afatgjatë në krijimin e një koncepti pothuajse të ri të menaxhimit të hapësirës ajroje. Rregullorja 2021/664[3], që trajton U-Space, përcakton të gjitha rregullat dhe masat e nevojshme për integrimin e dronëve në hapësirën e përbashkët të përdorur deri tani vetëm nga mjetet fluturuese me pilot. E lidhur ngushtë me U-Space është edhe rregullorja 2021/665[4] dhe 2021/666[5], që shërben si bazë ligjore për implementimin e platformave të menaxhimit teknik të hapësirës ajrore dhe të operatorëve të dronëve.

Këto ishin disa nga arritjet më të rëndësishme në fushën e dronëve në vitin 2021 nën këndvështrimin e BE-së. Viti 2022 do të ketë ngarkesë më të madhe pune dhe me siguri, edhe diskutime intensive në të gjitha nivelet teknike, juridike por edhe politike brenda BE-së, për të çimentuar dhe për të zbatuar me rigorozitet rregulloret e lartpërmendura. Të gjitha këto diskutime dhe vendime do të kenë si qëllim të përgatisin terrenin për rregulloret që do të hyjnë në fuqi në Janar 2023.[6]

Më i rëndësishëm është implementimi teknik, nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil (autoriteti kryesor në shumë vende të BE-së), i mundësisë së identifikimit të dronit. Kjo është një detyrë tejet e vështirë, që kërkon kompetenca teknike, koordinim profesional dhe mjete financiare. Pothuajse të gjitha vendet e BE-së, si dhe disa anëtarë të EASA-s si p.sh. Zvicra, kanë filluar procesin e implementimit të platformave përkatëse të identifikimit nga distanca. Ky proces është shumë i rëndësishëm për të mundësuar një fluturim pa konflikte të të gjithë pjesëmarrësve të hapësirës ajrore.

Viti 2021 ishte gjithashtu viti i projekteve pilot ku u testuan dhe po testohen, në skenarë të ndryshëm, aftësitë dhe mundësitë e dronëve për të zgjidhur disa nga problemet e përditshme në shumë fusha. P.sh. transporti i mallrave, transporti i produkteve farmaceutike. Transporti i pajisjeve urgjente për qëllime mjekësore (defribilatorët, rezervat e gjakut etj.). Monitorimi i infrastrukturave strategjike. P.sh. portet, impiantet atomike, kufijtë, zjarret, përmbytjet, tërmetet, mjedisi, bujqësia, klima, e shumë raste biznesi në shumë fusha.

Bashkimi Europian po injekton burime të konsiderueshme financiare në fushën e aplikimit të dronëve, si një sektor me pasoja të jashtëzakonshme në krijimin e bizneseve të reja, vendeve të punës dhe në përmirësimin e kushteve klimatike, duke zbutur efektet negative të krijuara nga ngrohja globale.

Tashmë është hapur një garë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga biznesi privat, njësitë administrative, rajone, projekte ndërrajonale, institucionet kërkimore, ato të arsimit dhe sektorë strategjikë. Janë një sërë programesh të financuara nga institucione të ndryshme europiane dhe nga vetë vendet anëtare.

Një segment edhe më premtues ku po punohet me shpejtësi të madhe është ai i mjeteve të transportit të pasagjerëve të njohura si dronët taksi të bazuar në teknologjinë eVTOL (mjete fluturuese elektrike që ngrihen dhe ulen vertikalisht). Megjithëse të gjitha zgjidhjet aktuale janë në fazat e testimit, po punohet me intensitet për të përshtatur kuadrin ligjor, jo vetëm të fushës së aviacionit, por edhe atë të arkitekturës dhe infrastrukturës përkatëse.

Tashmë shumë qytete dhe metropole po përshtatin politikat dhe strategjitë e zhvillimit urbanistik, për të mundësuar ngritjen e infrastrukturës përkatëse. Pistat e reja për ngritjen dhe uljen e taksive ajrore janë pjesë e shumë projekteve arkitektonike. Viti 2022 do të sjellë ndryshime radikale në konceptet e shumë qyteteve. Taksitë e para do të fillojnë të fluturojnë në shumë segmente të hapësirës ajrore.

Risia e pakontestueshme në fushën e dronëve në vitin 2021 ishin rritja e aftësive të dronëve dhe orientimi drejt AI (Inteligjencës Artificiale) si dhe përsosmëria e payload (pajisjeve të montuara në dron). Kryesojnë kamerat e sofistikuara, sidomos ato për fotografi profesionale, LIDAR (përdorimi i rrezeve lazer për të matur distancat dhe për këtë krijuar profile shumë të sakta të terrenit), detektorë të tjerë për temperaturat, gazrat, ndryshimet atmosferike etj.

Përdorimi i dronëve i ka hapur mundësi të jashtëzakonshme edhe zhvillimit të algoritmeve dhe aplikacioneve të shumëllojshme. Ky trend do të rritet jashtëzakonisht edhe në vitin 2022 dhe do të shohin startup-e të rinj në këtë fushë.

Nga ana tjetër, do të përshpejtohet procesi i filluar tashmë këtë vit i M&A (merger & acquisition), d.m.th. blerja dhe shitja e kompanive në shumë sektorë. Sidomos kompanitë dominuese globale në sektorin e aviacionit po thithin në qendrën e tyre të gravitacionit satelitët e vegjël, duke krijuar një formë monopoli dhe konkurruese ndaj rivalëve. Këtu mund të përmendim Airbus, Boeing e shumë korporata të tjera.

Konkurrenca, një nga ligjet e padukshme të ekonomisë së tregut, me gjithë anët pozitive dhe negative, ka prekur sektorin e UAS duke e vlerësuar atë si sektor strategjik. Dhe siç ndodh rëndom në epokën e pas-Luftës së Dytë Botërore, zëri më i fuqishëm i rregullit botëror, SHBA, nuk mund ta linin pa rishikuar edhe sektorin e dronëve për përdorim civil.

Masat e këtij viti kundër konkurrencës nga Kina, sidomos monopoli i DJI, kompania që zotëron më shumë se 70% të tregut botëror, tregojnë se sa strategjike është fusha e dronëve për SHBA. Përfshirja e disa kompanive kineze, midis tyre DJI, në listën e zezë të ndaluara të zhvillojnë aktivitete dhe shitblerje në Amerikë, sidomos për sektorin publik, tregon se nga ky sektor priten plane më të sofistikuara në të ardhmen.

Edhe BE-ja është zgjuar nga gjumi dhe me hapa më të kujdesshëm, po motivon prodhimet Made in EU për të lehtësuar peshën e dominimit të DJI në tregun europian. Lufta nuk do të zhvillohet aq shumë në shitjen e dronëve nga Kina, por mbajtja nën kontroll e patentave të AI (Inteligjencës Artificiale), duke i klasifikuar si strategjike.

Në këtë kuadër, po punohet edhe në sektorin e mbrojtjes nga dronet. Duke filluar nga zgjidhjet e thjeshta dhe platformat e bazuara në teknologjitë DAA (Detect and Avoid). Edhe një nga rregulloret e lartpërmendura, ka pikërisht këtë synim. Të mbajë nën kontroll të gjitha dronet që fluturojnë ligjërisht në hapësirën ajrore.

Të gjitha këto zhvillime që pamë në vitin 2021 dhe ato që do të trajtohen në vitin 2022, kanë dhe do të kenë një ndikim direkt edhe në ekonominë shqiptare. Megjithëse Shqipëria nuk ka ende një rregullore mbi sistemet UAS, po bëhen përpjekje nga sektori përkatës që kjo temë të marrë prioritetin e duhur në 2022. Është e qartë për të gjithë specialistët e sektorit të aviacionit, por edhe të biznesit dhe sektorit privat se, pa një kuadër ligjor, do të krijohet një kaos dhe mund të ndodhin incidente të padëshiruara.

Autoriteti i Aviacionit Civil e ka marrë si detyrë të rëndësishme përgatitjen e rregullores, e cila do të duhet të miratohet sa më shpejt nga ana e ministrisë përkatëse, në mënyrë që të përgatiten kushtet për një rregullim të tregut. Kjo do të kishte një ndikim të rëndësishëm në “legalizimin” e dronëve dhe operatorëve të cilët, jam i sigurt do të përfitonin më shumë se sa nga situata aktuale.

Nga vëzhgimet empirike të bëra në Shqipëri, në vitin 2021, fenomeni më i dukshëm i përdorimit të dronëve ishte ai i fotografisë dhe filmimit. Për qëllime nga më të ndryshmet. Duke filluar nga përgatitja e lajmeve nga mediat vizive, nga filmimet për aktivitete artistike dhe ato private, filmimet për qëllime turistike e deri te sportet dhe tracking tourism.

Sektori i biznesit shënon përdorimin e dronëve për fushat e ndërtimit, matjeve gjeodezike dhe projekte të lidhura me bujqësinë.

Të gjitha këto janë zgjidhje sporadike dhe bazohen në përdorimin e dronëve dhe aplikacioneve nga tregu i jashtëm. Nuk ka ende ndonjë prodhim vendas përveç ndonjë adaptimi të software ekzistues.

Vlen të përsëritet se përdorimi i dronëve në të gjithë skenarët e lartpërmendur është i paligjshëm. Pa një rregullore, ky fenomen do të vazhdojë si më parë.

Kjo situatë jo vetëm krijon iluzionin se në Shqipëri mund të bësh ç’të duash, por edhe nga ana ekonomike, shtetit i ikin shumë të ardhura që mund të përdoreshin me efikasitet në sektorin e aviacionit civil.

Për një sensibilizim të kësaj tematike, krahas ndërhyrjes së institucioneve përkatëse të pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, opinioni publik dhe shoqatat e përfshira në këtë sektor, mund të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere pozitive në përkrahje të dronëve. Krijimi i Shoqatës Shqiptare të Dronëve përbën një hap të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e temave që lidhen me dronët. Ashtu si po konsiderohet edhe në BE.

(Kosova Sot Online)