Bie për herë të parë numri i përdoruesve aktivë të Facebook-ut

  • E.K /
  • 03 February 2022 - 09:09
Bie për herë të parë numri i përdoruesve aktivë të Facebook-ut

Gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook, ka shënuar rënie të numrit të përdoruesve aktivë ditorë për herë të parë në historinë e tij 18-vjeçare.

Kompania “Meta”, pronare e rrjetit të famshëm social, tha se numri i përdoruesve aktivë ditorë ra në 1 miliard e 929 milionë në çerekun e fundit të vitit të kaluar, në krahasim me 1 miliard e 930 milionë përdoruesit aktivë në çerekun paraprak.

Kompania gjithashtu paralajmëroi për ngadalësimin e rritjes së të hyrave përballë konkurrencës nga rivalët si TikTok dhe YouTube, ndërsa edhe reklamuesit janë duke i pakësuar shpenzimet, shkruan BBC.

Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg, tha se rritja e shitjeve të kompanisë është dëmtuar, pasi audienca, sidomos përdoruesit me moshë më të re, janë larguar për t’i shfrytëzuar aplikacionet rivale.

Kompania “Meta”, e cila e ka platformën e dytë më të madhe për marketing digjital në botë pas kompanisë “Google”, tha se është prekur edhe nga ndryshimet e rregullave të privatësisë në sistemin operativ të gjigantit “Apple”.

(Kosova Sot Online)