Qarri: Protestë kundër kryeministrit

Qarri: Protestë kundër kryeministrit
Qarri: Protestë kundër kryeministrit

Gani Qarri

  • 22 June 2026 - 16:40

Nga Gani Qarri Cyrih

Kryeministër, në pozitën që tash e mbi një mandat ushtroni, nëse rastësisht nuk u ka ikur nga mbamendja, keni ardhur me protesta, apo thënë më saktë për tu ngjitur në postin e lartë aktual, parapërgatitjet dhe kalitjen i keni ushtruar mirë paraprakisht me organizimin e demonstratave masive në rrugë, ku ka pasur edhe dy vdekje të rinjsh, ndërsa ne, në të gjitha aktet tuaja me qëllime të pastra kombëtare dhe shtetërore u kemi mbështetur pa rezervë në çdo kohët e situatë, me përjashtim të dakordimit për humbjen e jetëve dhe plagosjen e pjesëmarrësve në protesta, ndaj na habitni shumë se si brenda (“nate”)-një mandati, u bëtë kaq paqësor dhe nuk u intereson më për zhvillimet në FYROM dhe Shqipëri, megjithëse kryekëput, që të dyja këto zhvillime, kanë të bëjnë pikërisht me të drejtat e shqiptarëve dhe çështjen kombëtare, në të cilën ju gjithmonë jeni betuar, para se të vinit në pushtet.

 

Prandaj dhe habit shumë fakti se si ju nuk mbështetët dhe nuk thatë asnjë fjalë të vetme qoftë edhe në shenjë të përkrahjes formale as për protestat paqësore të para pak kohëve të thirrura nga studentët shqiptar të Iliridës, me kërkesat e arsyeshme dhe plotësisht të drejta të tyre, për përdorimin e gjuhës amtare shqipe në provimet e jurisprudencës, derisa populli dhe një pjesë e qytetarëve u solidarizuan me ta, si dhe vet BE u dha të drejtë kërkesave elementare të studentëve shqiptar Iliridas, por ju heshtët e heshtni edhe sot, sikur kjo ngjarje ti përkiste ndonjë populli të largët që nuk na lidhë asgjë me te, nga ishujt tejoqeanik, Bangladeshi, Burma apo shteti i vet-emërtuar si Myanmar, ku sundon junta ushtarake dhe bëhet keqtrajtimi sistematik i pjesëtarëve të popullsive joshumicë.

 

 Në protestat e thirrura prej jush, mjerisht kanë ndodhur edhe tragjedi dhe për fat të keq, janë vrarë në moshën më të mirë të jetës nga policia rumune Mon Balaj e Arben Xheladini madje Arbeni ishte vëlla i 4 motrave dhe djalë i vetëm në familje, të cilët ranë më 10 shkurt 2007 derisa po shprehnin pakënaqësinë me gjendjen në Kosovë dhe protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe sot, pas gati 20 vitesh, kujtohen në mënyrë mjaftë të zbehtë e sipërfaqësisht, sikur shuarja e tyre në lule të rinisë, të kishte ndodhur rastësisht apo nga ndonjë veprim i ashtuquajtur "akt kolateral". 

 

Por pikërisht tani para zhvillimeve më madhore të kohës, kur protestat mbarëkombëtare ka mese 23 ditë që organizohen pareshtur e aq mrekullueshëm në Tiranë e qytetet tjera kryesore të Shqipërisë, ju gjeni kohë të merrni pjesë e mbani fjalime pompoze në lojëra fëmijësh të fshatrave kufitare, sikur të ishit kryetar i ndonjërës nga Bashkësitë lokale atje, apo përfaqësues i kulturës së nivelit komunal dhe jo kryeministër i vendit, madje nuk gjeni as dy minuta kohë, të shprehni mbështetje "virtuale" dhe thoni qoftë edhe dy-tre fjalë të vetme në përkrahje të protestave të drejta mbarëkombëtare të rinisë shqiptare të mbledhur nga të gjitha anët e trojeve tona etnike dhe diaspora jonë patriotike, për çlirimin e vendit nga narkomafia, bandat e krimit të organizuar dhe një kryemafioz i cili pasi dëboi mbi 1 milion shqiptar nga Shqipëria, nuk hezitoi ta nxjerr në ankand publik edhe Shqipërinë, për ta shitur pjesë,pjesë, sikur shteti amë i shqiptarëve të ishte pronë e tij private dhe trashëgimi e lënë nga i ati Kristaqi.  

 

Ne nuk është se kemi harruar se dhe ju keni bërë mjaft gafa në karrierën tuaj politike, duke filluar nga fushata për shamia, e madje caktuar edhe moshën, kur vajzat minorene shqiptare në Kosovë, sipas jush "duhej", të mbuloheshin, derisa gruaja juaj jetonte e jeton në Norvegji dhe vajzën tuaj e shkolloni po në këtë vend nordik, larg simbolikave islamike dhe pa inskenimet turko-arabe që ndodhin përditë në Kosovë, siç vepronit në kooketim me imamët, duke zgjedhur orën12-të të ditës që bashkë me Arben Vitinë të nguroseshit në këmbë si statuja në nderim të "ezaneve" të tyre.

 

Kryeministër, ti je ai që na i ktheve së fundi edhe çallmat fetare në parlament dhe atë, pasi qytetarët e Kosovës me votën e tyre të lirë, spastruan njëherë e mirë Kuvendin nga shamitë turko-arabe, ndaj tani e ke obligim politik nga pozita të cilën e mbani, që të inkorporoni sa më parë në parlament edhe një Sheh, Priftin katolik dhe popin serb, ngase në emër të barazisë dhe respektit të ndërsjellë për të gjitha fetë dhe besimet në vend, BE mund t`ua kërkojë apo vendos edhe si kusht për pranimin në Këshillin e Evropës, të cilët të paktën për fillim ndoshta do të qëndrojnë në seancat parlamentare edhe kur votohet për president, për dallim nga deputetët e opozitës së inkriminuar, që veprojnë si robot të partisë dhe largohen nga seancat e Kuvendit për ta prishur kuorumin e nevojshëm dhe moszgjidhur këtë çështje kruciale për shtetin.

 

Gjithsesi një gjë duhet ta keni gjithmonë parasysh dhe të mos harroni, se nuk ka udhëheqës të paprekshëm as kryeministra të përjetshëm dhe kjo që po i ndodhë sot Edi Ramës,i cili kishte krijuar një megalomani piramidale, sa ndihej zot i padiskutueshëm i fronit të pushtetit, mund tu ndodhë shpejtë, apo në një të ardhme të afërt edhe juve, sepse me apo pa vetëdije, ju vet jeni duke i kontribuuar personalisht kësaj çështjeje dhe punuar pareshtur në atë drejtim.

 

Ti dhe ministri juaj i mbrojtjes, keni humbur tërësisht drejtpeshimin zyrtar dhe po shkelni çdo normë duke u lëshuar në veprime të palejuara dhe takuar edhe njerëz të dyshimtë e gjysmëanalfabet të përfolur edhe për haraq, vjedhje e hajni ordinere, familjet e të cilëve, pikërisht në vitet e pushtimit klasik të Kosovës nga Serbia dhe vitet e luftës në Kosovë, me favorizime të veçanta-zyrtare të shtetit serb, mbanin telefonat ajror të Serbisë në shtëpi dhe në vend se si kryeministër i vendit, ta urdhëroni AKI-në si dhe organet përkatëse shtetërore të hulumtojnë spiunët, që nxorën ushtarët e UÇK-së në prita të ushtrisë dhe policisë okupatore serbe, ku u vranë dhjetëra apo edhe qindra prej tyre, në fshatra e rajone të banuara vetëm me shqiptar dhe ku nuk jetonte asnjë serb i vetëm, si në Lugishtë, Goden, Rugovë të hasit etj, sot e atëherë, po ata ushtarë të vrarë me prita dhe tradhëti, bëhet sikur përkujtohen me shumë buj, ku gravitojnë lirshëm dhe janë të pranishëm fizikisht edhe vet spiunët shqipfolës, njëjtë si në kohën kur ushtarët e pafajshëm të UÇK-së, edhe në ato ditë të vështira, pa asnjë brengë i kanë nxjerrë në pritë të forcave okupatore serbe.

 

UÇK është aset kombëtar dhe jo sinonim privat i askujt, ndaj përfundimisht duhet të nxirret një vendim parlamentar nga Legjislativi i Vendit, si organi më i lart ligjzbatues, që përkujdesjen për përkujtimin e të rënëve, manifestimin e datave e ngjarjeve të shënuara, si dhe të shënimi i përvjetorëve të veçantë e zhvillimeve tjera të mirënjohura historike të luftës e të paqes, të mirren përsipër nga shteti, e jo edhe 27 vite pas çlirimit, të lejohet që pikërisht me këto vlera kombëtare, të luaj kush të dojë, sipas tekeve të tij, pa qenë i autorizuar zyrtarisht nga shteti, pa poseduar përgatitje të nevojshme shkollore as nivel dytësor kualifikues dhe autoritet qoftë edhe minimal të prezantimit, gjë që minimizon tërësisht edhe seriozitetin e organizimeve dhe zbehë në maksimum prestigjin e ngjarjeve, ndryshe jeni duke ia gërditur këtij populli edhe historinë dhe shkatërruar besimin në çdo gjë, akt i cili më së miri dëshmohet edhe me rënien drastike të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje dhe tubimet tjera të organizuara nën slogane pompoze kuazi-“patriotike”, ndaj mjaft më, me këso sallamadish gjysmëprivate dhe fjalamani e takime të inskenuara kaq neveritshëm nga vet ju, shkaku i të cilave edhe besimi në ju personalisht, sa vjen e po bie çdo ditë e më tepër.

 

Një gjë duhet ta keni parasysh se përkundër të gjitha “tejkalimeve”, për të mos thënë gafave të lartcekura, duke qenë se Qeveria juaj çliroi veriun e Kosovës nga bandat kriminale serbe dhe bashkë me organet e rendit e të ligjit, shuat oazën e krimit të organizuar kooketuese serbo-shqiptare, shtritë sovranitetin shtetëror në të gjitha pjesët e vendit dhe ndaluat me ligj organizatat terroriste serbe të mbështetura nga Serbia e Aleksandër Vuçiq, deri më tani gabimet tuaja, i kemi kaluar "hatërsisht", duke shikuar përmes gishtërinjve, sepse Trepça, Ujmani e Mitrovica dhe shtrirja e shtetësisë së Kosovës në pjesën veriore, ishte shumë e rëndësishme për ne si popull i vogël dhe shtetin tonë të ri dhe ende të pa-konsoliduar tërësisht.

 

Por të heshtni tani e mbi tre javë, ju dhe gjithë ministrat e qeverisë tuaj, qoftë edhe kështu si jeni aktualisht-“qeveri në detyrë”, për protestat masive në Shqipëri, sikur të ishte çdo gjë normale dhe të mos ndodhte asnjë zhvillim i jashtëzakonshëm pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është vërtetë e pafalshme, për çfarë ju e keni detyrim moral e kombëtar, obligim shtetëror dhe nga vet funksioni që keni, mbani përgjegjësi politike, tu jepni shqiptarëve një përgjigje të qartë, se pse silleni kështu dhe çfarë prisni më, që ende nuk dilni në mbështetje të protestave të drejta të të rinjve progresist në shtetin amë-Shqipëri, të cilët tash e mbi 23 ditë me radhë po dëshmojnë se meritojnë mbështetjen e parezervë të të gjithë shqiptarëve.

 

Për fund ,ju lutem  shumë, na thoni kur u bëtë ju kaq paqësor, se vërtetë na duket ndryshim i madh, e i pazakontë dhe kemi filluar të mos ju kuptojmë më, apo ndoshta po prisni që Edi Rama, pas projektit të parë sekret të "zajednicës" serbe, të përpiluar pas shpinës së Kosovës dhe kokë më kokë, me Aleksandër Vuçiqin, të cilin ia dërgoi pa konsultim dhe pa dijeninë e Qeverisë tuaj Makronit dhe BE-së për imponimin nga BE, të një "republika srpska" edhe në Kosovë, ti dorëzoj tani një projekt të dytë, edhe më konspirativ të "zajednicës" serbe, presidentit Makron, zonjës Meloni dhe Bashkimit Evropian për miratim në Bruksel, i cili siç u dëshmua para pak javëve në gazetën gjermane "FAZ" (Frankfurter Allgemeine Zeitung), edhe sot vazhdon të mbajë editoriale të përbashkëta me Aleksandër Vuçiqin, dhe pas inatosjes së serishme, për mos-faljen e veriut të Kosovës, Serbisë fashiste, ti vendos përsëri i pari në Evropë-sanksione Kosovës, siç i pati vendosur dhe anuluar edhe takimin e dy qeverive të paraparë të mbahej më 13 qershor të vitit 2023 në Gjakovë, ta quaj përsëri Mitrovicën dhe veriun e vendit tonë, "tokë të askujt", si dhe pasi ti “ri-ofendojë” në mënyrë alegorike ish kryetarët shqiptar të komunave në veri, se koha e Oso Kukës-ve shqiptar ka përfunduar, ta paraqes serish Kosovën në hartat e konstruktuara enkas prej tij, si pjesë të territorit të Serbisë?! Të fala me shëndet dhe dëshirën për kthjellim!