Del në shitje bolidi i Ferrarit i sezonit 1997

  • A.P /
  • 15 June 2022 - 14:52
Del në shitje bolidi i Ferrarit i sezonit 1997

Një bolid Ferrari i drejtuar nga Eddie Irvine në Çmimin e Madh të Spanjës më 1997 është nxjerr në shitje.

Bëhet fjalë për bolidin e modelit F310B, që u prodhua në nëntë kopje gjatë sezonit 1997, tre të përdorur ekskluzivisht nga Michael Schumaceher, dy nga Eddie Irvine, ndërsa të tjerët ishin të përbashkët.

Shasia numër 176 u përdor vetëm gjatë garës së Çmimit të Madh të Spanjës më 1997 dhe Irvine nuk e ka drejtuar atë që atëherë. Irlandezi ishte i njëmbëdhjeti në kualifikime dhe pati probleme me gomat gjatë garës.

Situata u përkeqësua nga një dënim me ndalesë prej 10 sekondash për shkak të injorimit të flamujve blu dhe Irvine përfundimisht përfundoi i 12-ti, kurse legjenda Schumacher doli i katërti.

Në fund të sezonit, Ferrari e mbajti bolidin në koleksionin e tij, por në vitin 1998 ia shiti atë Michael Gabelit nga Gjermania. Vetura u ble më pas nga një koleksionist tjetër gjerman, i cili e mbajti për 22 vjet.

Bolidi ka kaluar vetëm 320 kilometra dhe ende ka rripat origjinalë Sabelt si dhe gomat e shpenzuara nga gara në Spanjë, Goodyear.

Gjithashtu, ka motorin origjinal V10 i çiftuar me një transmision gjysmë-automatik sekuencial me shtatë shpejtësi e me tehe për të ndryshuar marshin. Çmimi do të vendoset bazuar në kërkesën e klientëve.

(Kosova Sot Online)