​BE merr vendim për Facebook e Instagram: Këto lloj reklamash do të ndalohen tani e tutje

  • E.K /
  • 03 November 2023 - 08:37
​BE merr vendim për Facebook e Instagram: Këto lloj reklamash do të ndalohen tani e tutje

Rregullatori evropian ka ndaluar përgjithmonë reklamat e sjelljes në Facebook dhe Instagram, në vijim të vendimit të Norvegjisë, që do të thotë se praktika do të ndalohet në të gjitha vendet e BE-së dhe të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA).

Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) ka urdhëruar rregullatorin e mbrojtjes së të dhënave në Irlandë, ku ndodhet selia evropiane e Metës, të ndalojë përgjithmonë kompaninë nga reklamat e sjelljes brenda dy javësh, tha EDPB në një deklaratë.

“Më 27 tetor, EDPB mori një vendim urgjent detyrues për të ndaluar përpunimin e të dhënave personale për reklamat e sjelljes mbi bazën ligjore të kontratës dhe interesit legjitim në të gjithë Zonën Ekonomike Evropiane”, thuhet në deklaratë.

Në reklama të tilla, kompanitë mbështeten në të dhënat në lidhje me preferencat e përdoruesve në mënyrë që të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre në një mënyrë të synuar. Meta i ka rezistuar përpjekjeve për të frenuar këtë praktikë.

Nëse shkel ndalimin, ajo përballet me një gjobë deri në katër për qind të qarkullimit global, tha rregullatori norvegjez i të dhënave.

Pëlqimi për përpunimin e të dhënave

Të mërkurën, Meta kujtoi se planifikon t’u ofrojë përdoruesve në BE dhe EEA mundësinë për të dhënë pëlqimin për përpunimin e të dhënave dhe se në nëntor do të ofrojë një model abonimi për të përmbushur kërkesat e rregullatorit.

“Anëtarët e EDPB-së e kanë ditur planin prej javësh dhe ne kemi folur tashmë me ta për të arritur një rezultat të kënaqshëm për të gjitha palët”, tha një zëdhënës i kompanisë.

“Zhvillimi aktual në mënyrë të pajustifikueshme e injoron këtë proces të plotë dhe të fuqishëm rregullator,” shtoi ai.

Që nga fillimi i gushtit, Meta në Norvegji është kërcënuar me një gjobë prej një milion kronash (84.380 euro) në ditë nëse cenon privatësinë e përdoruesve duke përdorur të dhënat e tyre, si vendndodhjen ose përmbajtjen e shikueshme, për reklamim, që është një modeli i përbashkët i biznesit të gjigantëve të teknologjisë.

Shuma është e vlefshme deri të premten dhe mund të jetë shumë më e lartë në të ardhmen, sipas Tobias Judin, kreu i departamentit ndërkombëtar të Datatilsynet.

“Meqenëse ndalimi tani do të jetë i përhershëm, mospërputhja në nivel BE/EEA do të përbënte një shkelje të GDPR në vetvete, e dënueshme me deri në katër për qind të qarkullimit global”, tha Judin.

BE-ja rregullon të drejtën e privatësisë me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Norvegjia nuk është anëtare e BE-së, por është pjesë e tregut të vetëm evropian.

Vendimi mbulon rreth 250 milionë përdorues të Facebook dhe Instagram në Evropë, njoftoi Datatilsynet.

(Kosova Sot Online)