Ja pse shumë këngë mund të mos përdoren më në TikTok

  • A.P /
  • 01 February 2024 - 14:49
Ja pse shumë këngë mund të mos përdoren më në TikTok

Nëpërmjet një letre të hapur të shpërndarë në faqen zyrtare të internetit, kompania diskografike holandeze-amerikane “Universal Music Group” – e cila mban, ndër të tjera, të drejtat e artistëve duke përfshirë Taylor Swift, Beatles, Drake, The Weeknd, Justin Bieber, Adele, Post Malone dhe shumë të tjerë – ka njoftuar heqjen e katalogut të saj muzikor nga TikTok pas përfundimit të kontratës, e cila skadon sot, më 31 janar 2024.

 

“Misioni ynë kryesor është i thjeshtë: të ndihmojmë artistët dhe kompozitorët tanë të arrijnë potencialin e tyre më të madh krijues dhe tregtar. Për të arritur këto qëllime, ekipet tona përdorin përvojën dhe pasionin e tyre për të mbyllur marrëveshje me partnerë në mbarë botën, partnerë që i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre për të kompensuar në mënyrë të drejtë artistët dhe kompozitorët tanë dhe për të trajtuar përvojën e përdoruesit me respekt”, shkruhet në letrën nga ‘Universal Music’.

Grupi, i cili vazhdon të shpjegojë vështirësitë e hasura në TikTok për disa “çështje kritike”, përkatësisht “kompensim adekuat për artistët dhe kompozitorët tanë, mbrojtjen e artistëve nga efektet e dëmshme të AI dhe sigurinë në internet për përdoruesit e TikTok”.

Letra vazhdon duke përshkruar përgjigjet e platformës sociale ndaj kërkesave të Universal: “Kur ne propozuam që TikTok të merrte masa të ngjashme me partnerët tanë të tjerë të platformës për t’u përpjekur t’i adresonte këto çështje, ai u përgjigj fillimisht me indiferencë dhe më pas me kërcënim”.

Universal pretendon se TikTok “u përpoq të na frikësonte për të pranuar një marrëveshje që vlen më pak se marrëveshja e mëparshme, shumë më pak se vlera e drejtë e tregut dhe nuk pasqyron rritjen e tyre eksponenciale. Si u përpoq të na frikësonte? Duke hequr në mënyrë selektive muzikën nga disa prej artistëve tanë në zhvillim, duke mbajtur yjet tanë globalë që nxisin audiencën në platformë.”


(Kosova Sot Online)