SHQIPËRIA NË PROVË SHTETËRORE: KUR PROTESTA RREZIKON TË KTHEHET NË KRIZË KOMBËTARE
Hajrush Behluli
Nga Hajrush Behluli
Protestat disajavore në Shqipëri nuk janë shpërthim emocional i rastësishëm. Ato janë pasojë e drejtpërdrejtë e një realiteti të gjatë keqqeverisjeje, korrupsioni sistematik dhe një klase politike që për tri dekada ka konsumuar pushtetin, por jo përgjegjësinë. Gjeneratat e reja, të lindura pas rënies së diktaturës, janë rritur pa shpresë, pa perspektivë dhe pa besim. Kjo është tragjedia më e madhe politike e Shqipërisë së sotme.
Rasti i Zvërnec nuk ishte shkaku, por katalizatori. Kur shteti humb ndjeshmërinë sociale dhe arroganca politike zëvendëson dialogun, çdo padrejtësi e vogël kthehet në shpërthim të madh. Protesta, në thelb, është e drejtë demokratike. Por në momentin që ajo mbetet pa orientim të qartë politik dhe institucional, shndërrohet në rrezik shtetëror.
Ajo që sot duhet thënë pa dorashka është kjo: mllefi social në Shqipëri është terren i përsosur për keqpërdorim. Qarqe ekstremiste fetare, shërbime të huaja armiqësore dhe interesa destabilizuese janë gjithmonë në pritje të krizave të tilla. Çdo dobësim i shtetit shqiptar nuk është çështje e brendshme pot është çarje në sigurinë kombëtare shqiptare dhe në arkitekturën e stabilitetit rajonal.
Për këtë arsye, përfshirja e kosovarëve dhe e shqiptarëve jashtë Shqipërisë në këto protesta është gabim politik. Secili duhet të japë kontribut aty ku jeton dhe ku mban përgjegjësi qytetare. Edhe personalisht, ndonëse posedoj shtetësi shqiptare, nuk marr pjesë në proceset zgjedhore në Shqipëri, pikërisht për të mos ndikuar në vullnetin politik të qytetarëve që jetojnë realitetin e përditshëm atje. Kontributi bëhet vetëm kur cenohet shteti ose kur dëmtohen me qëllim lidhjet me aleatin strategjik.
Sot, përgjegjësia është e plotë dhe e dyfishtë. Institucionet e sigurisë dhe klasa politike -pushtet dhe opozitë kanë pasur 23 ditë kohë për të dalë me qëndrime të qarta, analiza serioze dhe veprime në shërbim të interesit kombëtar. Dështimi për ta bërë këtë është papërgjegjësi historike.
Dështimi i Shqipërisë nuk ndalet në kufijtë e saj. Ai prodhon pasoja direkte në Kosovë dhe te shqiptarët në Maqedonia e Veriut. Prandaj, paqartësia duhet të marrë fund. Pushteti të merr përgjegjësi politike dhe të gjejë zgjidhje me organizatorët që të ndalen protestat menjëherë. Çdo rrugë tjetër është mashtrim dhe hapje dere për anarki dhe destabilizim.
Ky nuk është moment për lojë politike. Ky është moment për vendime shtetërore. Ose fiton Shqiptaria ose humbasim të gjithë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
