Mazda zbulon risitë në markat e reja

  • A.P /
  • 19 May 2025 - 07:58
Mazda zbulon risitë në markat e reja

Mazda Motor Corporation raporton një rritje prej 5 për qind të shitjeve globale, duke arritur në 1.303.000 automjete në vitin financiar që përfundoi më 31 mars 2025.

Rezultatet financiare tregojnë një rritje të të ardhurave neto prej 4 për qind (5.018,9 miliardë jenë / rreth 31,95 miliardë euro), fitim operativ prej 186,1 miliardë jenë (rreth 1,18 miliard euro) dhe fitim neto prej 114,1 miliardë jenë (rreth 727 milionë euro).

Pavarësisht investimeve më të mëdha në elektrifikim, kompania arriti të ruajë një rrjedhë të qëndrueshme pozitive të parasë.

 

Amerika e Veriut mbetet tregu më i madh me një rekord prej 617 mijë automjetesh të shitura (+20 për qind), ndërsa në Evropë shitjet janë të qëndrueshme (174 mijë automjete). Në tregun kinez pritet rritje falë modeleve të reja elektrike.

Japonezët presin që të fitojnë vrull të mëtejshëm me prezantimin e modelit krejtësisht të ri Mazda6e. Kujtojmë se bëhet fjalë për një sedan elektrik me një autonomi deri në 479 km.

Mazda po përshpejton kalimin drejt elektrifikimit përmes strategjisë “Lean Asset Strategy” dhe iniciativës “Monozukuri Innovation 2.0”, duke synuar të arrijë një ekuilibër midis uljes së emetimeve të karbonit dhe rritjes së qëndrueshme të biznesit.

(Kosova Sot Online)