Meta forcon masat për mbrojtjen e fëmijëve në Instagram

  • A.P /
  • 29 July 2025 - 08:13
Meta forcon masat për mbrojtjen e fëmijëve në Instagram

Meta ka ndërmarrë hapa të rinj për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët në Instagram, duke forcuar masat e sigurisë për profilet e krijuara ose të menaxhuara nga të rriturit.

Kjo nismë synon të parandalojë ngacmimet, komentet e papërshtatshme dhe kontaktet e rrezikshme në platformë.

 

Ndër masat e reja përfshihet kontrolli më i rreptë i mesazheve direkte dhe aktivizimi automatik i funksionit “Hidden Words”, që filtrin gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjet ofenduese në komentet publike.

Gjithashtu, Meta do të kufizojë shfaqjen e profileve të fëmijëve në kërkime dhe rekomandime, për të reduktuar rrezikun e kontaktit me persona të paautorizuar.

Masat e reja përfshijnë edhe mbylljen e menjëhershme të profileve që shkelin politikat e kompanisë, si ato me komente me përmbajtje seksuale ose kërkesa për foto të papërshtatshme. Vetëm gjatë këtij viti, Meta ka hequr rreth 135 mijë profile të tilla.

Këto hapa pasojnë përpjekjet e mëparshme të kompanisë për të rritur privatësinë e adoleshentëve, si krijimi i “profileve të adoleshentëve” me cilësime më të rrepta dhe kufizimet e reklamave për përdoruesit nën 18 vjeç.

Ekspertët e sigurisë theksojnë se, përveç masave të kompanive teknologjike, roli i prindërve dhe kujdestarëve mbetet thelbësor në monitorimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online.

(Kosova Sot Online)