Kur të thjeshtit i çmojnë intelektualët, e intelektualët harrojnë të çmojnë të tjerët
Zef Prenka
Shkruan: Zef Prenka
Njerëzit që nuk merren me punë intelektuale zakonisht e dinë se nuk i dinë të gjitha. Kjo vetëdije i bën më të hapur, më respektues dhe më të gatshëm të çmojnë atë që kanë të tjerët, sidomos dijen dhe mendimin e një intelektuali. Ata nuk e shohin mendimin ndryshe si kërcënim, por si pasurim, si plotësim të një mungese njohurish.
Te një pjesë e intelektualëve ndodh e kundërta.
Sa më shumë dije dhe tituj kanë, aq më lehtë lind bindja se “unë di më shumë se të tjerët” dhe, me kalimin e kohës, kjo bindje shndërrohet në përbuzje ndaj mendimeve të ndryshme. Këtu nuk është më fjala për dije, por për ego. Intelektuali fillon të mos e dëgjojë tjetrin, por vetëm veten.
Një arsye tjetër është konkurrenca. Intelektualët maten me ide, me autoritet, me ndikim publik. Për disa prej tyre, çdo intelektual tjetër shihet si rival, jo si bashkëbisedues. Prandaj, në vend të vlerësimit lind zhvlerësimi, ironia ose heshtja përçmuese.
Duhet bërë edhe një dallim i thjeshtë: dija nuk është e njëjtë me mençurinë. Ka shumë njerëz pa diploma që dinë të respektojnë, të dëgjojnë dhe të vlerësojnë. Ndërsa ka intelektualë me shumë dije, por pak karakter dhe përulësi. Mençuria të mëson ta pranosh tjetrin; vetëm dija, pa përulësi, të shtyn të mendosh se vetëm ti ke të drejtë.
Në fund, paradoksi është ky: ata që nuk merren me punë intelektuale shpesh i çmojnë intelektualët sepse e respektojnë dijen. Ndërsa disa intelektualë nuk çmojnë askënd tjetër, sepse harrojnë se dija e vërtetë fillon aty ku pranon se nuk i di të gjitha.
PSE E SHKROVA KETË KRITIKË?
Këtë kritikë për intelektualët po e shkruaj jo nga mllefi, por nga përgjegjësia morale dhe zhgënjimi i arsyeshëm.
Po e shkruaj sepse shoh një mospërputhje të dhimbshme mes asaj që intelektualët duhet të jenë dhe asaj që shpesh janë në realitet. Intelektuali pritet të jetë zë i arsyes, urë mes mendimeve të kundërta, shembull përulësie dhe ndershmërie mendore. Kur në vend të kësaj shfaqet përçmimi, vetëkënaqësia dhe mbyllja ndaj tjetrit, kritika bëhet e domosdoshme.
Po e shkruaj, sepse kam vërejtur se shumë intelektualë kërkojnë respekt nga shoqëria, por nuk janë gjithmonë të gatshëm ta japin atë respekt mbrapsht. Sepse flasin për demokraci, debat dhe mendim kritik, por në praktikë nuk e durojnë mendimin ndryshe kur nuk buron prej tyre.
Po e shkruaj, sepse kjo sjellje dëmton jo vetëm imazhin e intelektualit, por edhe shoqërinë. Kur intelektualët mbyllen në ego, ata pushojnë së qenë udhërrëfyes dhe kthehen në spektatorë arrogantë, duke lënë hapësirë për mediokritetin dhe populizmin.
Dhe po e shkruaj edhe për një arsye më të thellë: sepse besoj shumë se kritika nuk është armiqësi, por thirrje për vetëdije.
Një shoqëri përparon kur intelektualët kritikohen, jo kur shenjtërohen. Vetëm intelektuali që e pranon kritikën mbetet i denjë për ta udhëhequr mendimin publik.
Në thelb, këtë kritikë e shkrova, sepse ende pres më shumë prej intelektualëve dhe jo më pak.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
