Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (17)

  • E.K /
  • 26 shtator 2020 - 17:07
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (17)

KAPITULLI I SHTATËMBËDHJETË

Vapa e mëdha paralajmëron një verë të gjatë dhe të nxehtë. Qyteti vlonte, betoni ishte skuqur nën diellin e pamëshirshëm, por Ganja ecte me nxitim duke vizituar dyqanet, në kërkim të një dhurate adekuate për një mashkull. Kishin kaluar pesë vjet nga takimi i fundit me Blerimin dhe mund të thuhej se kishte harruar në tërësi sesi ai kishte kaluar nëpër jetën e saj, duke shkaktuar kaos. Njëherë e kishte parë në gazetë dhe kishte lexuar sesi ai ishte bërë trajner i një klubi gjerman të ligës së dytë. Tani as Brahimi nuk ishte pjesë e jetës së saj. Lidhja e tyre kishte zgjatur më shumë se dy vjet, e më pas diçka kishte ndodhur te Ganja dhe ai kishte filluar t'i neveritej dhe gjithnjë e më shpesh kishte filluar të mendonte rreth ndjenjave të gruas së tij.

Kur i kishte thënë se do ta linte meqë më nuk kishte kurrfarë rëndësie për të, ai ishte sjellë si një mashkull i lënduar dhe me paragjykime, duke ia thënë një varg ofendimesh dhe fjalësh të rënda, kështu që takimi i tyre i fundit kishte sjellë një armiqësi të qëndrueshme. Më pas kishte ardhur arkitekti me sjellje të mira dhe me një qetësi, e cila të bënte për vete. Ai i vardisej te sporteli, kurse Ganja në fillim e refuzonte vazhdimisht. Ishte dhjetë vjet më i vjetër se ajo, por kishte shprehi sportive dhe një mënyrë të shëndoshë të jetës, kështu që dallimi thuajse nuk vërehej fare. Në të vërtetë, Ganja nuk donte më që të lidhej me meshkuj, sidomos jo me ata, të cilët që në shikimin e parë nuk bënin që zemra t'i rrihte më shpejt dhe ndaj të cilëve që në fillim ishte indiferente.

Por, arkitekti ishte njeri këmbëngulës dhe, në fund, ia doli që t'ia mbushte mendjen për një takim. Ishin miq tash e më shumë se gjashtë muaj, edhe pse dihej se ai priste vendimin e saj që t'i dorëzohej edhe si femër. Ganja filloi ta donte me një dashuri, e cila ndihet për një mashkull të butë dhe të kujdesshëm dhe, në fund, kuptoi se më të mirë se atë nuk mund të gjente, dhe se ishte absurde të priste t'i ndiente ato fluturat magjike në bark, prandaj vendosi t'ia jepte një shans. Atë ditë ai e kishte ditëlindjen dhe kërkonte një dhuratë adekuate për të dashurin e saj. Parandiente se së shpejti ai do t'i propozonte martesë dhe kishte frikë nga një gjë e tillë. E dinte se do të thoshte "po", nuk kishte arsye që ta refuzonte, por megjithatë diçka në të kundërshtonte një gjë të tillë. Një pjesë e pavetëdijshme e arsyes, apo ndoshta edhe zemrës. Pas më shumë se dy orësh të ecejakeve nga dyqani te dyqani tjetër, ajo gjeti një orë të mrekullueshme për meshkuj dhe vendosi ta blinte.

KAPITULLI I TETËMBËDHJETË

Ai e priti në banesën e tij të madhe në qendër, i veshur tepër solemnisht për një darkë në ambient shtëpiak, por Ganja nuk ia shihte për të madhe. Kishte kujdes të veçantë rreth pamjes së tij dhe nuk lejonte që askush ta shihte si nuk duhej. Atij i pëlqeu dhurata pa masë. – Për herë të parë kam përgatitur gaforre dhe shpresoj se do të të pëlqejnë. Nuk dyshonte në këtë, meqë ai tanimë ishte dëshmuar si kuzhinier i zoti. Derisa darkonin, mendonte rreth lidhjes së tyre. Ai ishte i pamartuar dhe, përkundër asaj se kishte shumë lidhje, kurrë nuk ishte përcaktuar për martesë. Ishte evidente se ishte dashuruar seriozisht në të dhe se kishte qëllime serioze. Ai nuk ishte ndonjë dashnor kushedi sa i mirë, por ishte i pasur, i suksesshëm dhe zemërgjerë. Nuk i mungonte asgjë që ta kalonte tërë jetën me të. (vijon)

(Kosova Sot Online)