Ngjarje e vërtetë: E para dhe e vetmja (3)

  • E.K /
  • 26 September 2020 - 17:24
Ngjarje e vërtetë: E para dhe e vetmja (3)

Ishim një çift i pandarë në mes vete, vite rresht. Secilën ditë që reagonte ne e kalonim së bashku. E kemi njohur veten tonë, edhe atëherë kur ishim të lumtur edhe atëherë kur ishim të pikëlluar. Prindërit e mi e adhuronin pa masë atë djalë, sikur që më adhuronin familja e tij, ndoshta edhe ata e kishin dalluar dhe vërejtur se ishim të njëjtë, se ishim të krijuar për njëritjetrin. Kishin besim në ne dhe na linin të shkonim kudo, pa marrë parasysh faktin se ishim shumë të rinj në moshë. Por, sikur që thonë, gjithçka që është e bukur e ka një fund, kështu erdhi edhe fundi ynë. Rrita jonë ishte shumë e shpejtë, shkolla e re, rrethi dhe ambienti i ri, njerëz të rinj…. Përnjëherë gjithçka ishte kthyer kundër nesh.

Partnerët e tij të punës kishin filluar atë ta tërheqin në njërën anë, e mua, të bukur dhe atraktive, shoqëria kishte filluar të më tërhiqte në anën tjetër. Dhe, natyrisht erdhi edhe fundi… Shumë i pikëluar dhe me plot dhimbje, sidomos për mua. Nuk po mund të pajtohesha me faktin që dita të fillonte dhe të përfundonte pa të, apo pa një porosi të tij. E kam thirrur, e kam lutur që të takohemi dhe së bashku ta tejkalojmë krizën në të cilën ishim futur, por krenaria e tij prej një mashkulli nuk e kishte lejuar një gjë të tillë. Ditët po kalonin, po kalonin muajt, e unë shumë pak isha shëruar nga kjo situatë. Aty ishin shoqet dhe shokët e mi, të cilët më nxirrnin nga shtëpia, në mënyrë që të mos shikoja fotografitë tona, të cilat ishin nëpër gjithë dhomën time dhe qaja gjithë ditën. Ishte kjo një periudhë e vështirë kohore, dhe do të thosha lirisht se kjo ishte periudha më e vështirë e jetës sime. Gjatë asaj kohe ai u vardisej shoqeve të mia dhe në të gjitha mënyrat e mundshme do të mundohej që të më lëndonte edhe më shumë, thuajse unë isha fajtorja për ndarjen tonë.

(Kosova Sot Online)