Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (25)

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 17:04
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (25)

Pak më vonë, derisa mblidhnin nga pjatat pjesët e biftekut të shijshëm, Milaimi ia bëri një pyetje të pazakonshme. – Fati im, a e ke analizuar ndonjëherë në vetvete martesën tonë të ardhshme? Ganes nuk i iku fakti që, në zërin e Milaimit, përpos seriozitetit, kishte edhe një dozë të pasigurisë. Kishte bërë gjithçka që, gjatë asaj dreke, t’ia bënte me dije se e donte dhe se për të kishte rëndësi kjo lidhje, duke fshehur kështu fajin që një natë më parë i kishte lejuar Drenit t’ia merrte zemrën dhe shtratin. Por, nuk e dinte se a e kishte hetuar këtë Milaimi. – Pse ma bën këtë pyetje? Mos po mendon se nuk jam e sigurt në vendimet e mia? – Jo, jo, assesi! Nuk dyshoj se ti, për çdo vendim që e merr, mendon mirë e mirë. Megjithatë, te ti shoh diçka që më shtyn të mendoj sesi, ndoshta pa vetëdije, je duke fshehur diçka që do të mund të ndryshonte gjithçka.

Milaimi ishte arkitekt, por Ganes iu duk se, në ato momente, gjendej para një psikiatri të rryer. – Si erdhe deri te një përfundim i këtillë? – Je duke e larguar shikimin për disa sekonda. Ndoshta as ti nuk je e vetëdijshme për këtë, e as shumë njerëz këtë nuk do ta vërenin. Unë të dua shumë, prandaj të vërej me vëmendje, duke të të analizuar, meqë dua që ta njoh çdo pjesë tënden. Ai shikim në ajër më frikëson. Sot e ke praktikuar tepër shumë. – Sot? Unë mendoj se sot kam pasur disponim tepër të mirë. – Është e vërtetë, por ai shikim e ka prishur këtë pasqyrë herë pas here. – E di, mendoj se je duke e tepruar me këtë analizë. E, sa i përket martesës, as mos të të shkoj në mend se do të heqë dorë, apo se do të pendohem, sado pak. Dua të martohem me ty dhe kjo edhe do të ndodhë. Milaimi në anën tjetër të tavolinës e mori dorën e saj, e afroi te buzët dhe e puthi. – Do të isha njeriu më i pikëlluar në botë sikur të mos ishe nusja ime. Ganja e shikoi me butësi, por disi ndjeu një dridhje të pakëndshme në shpinë. Sikur diçka t’ia tërhiqte vëmendjen.

KAPITULLI I NJËZETEPESTË

Pasi që u kthye në shtëpi, nuk dinte se çka të bënte më. E mori telefonin në dorë, mendoi se a ta thërriste Drenin dhe menjëherë t’i thoshte se më nuk dëshironte të takohej me të, apo ta priste që ai ta thërriste, e kjo t’ia tregonte të gjitha. Po ashtu, nuk dinte a të ishte ky një monolog i shkurtër dhe i ashpër – disa fjalë të pashpirta, të thëna me zë të ftohtë, apo të jetë një bisedë e haptë, një dialog njerëzor, ku deri në hollësi do t’ia shpjegonte se lidhja e tyre nuk kishte kuptim. E dinte se kishte mëdyshje, se arsyeja i thoshte të martohej me Milaimin, por gjithçka tjetër ishte për Drenin, por përvoja jetësore e kishte mësuar se zemra dhe ndjenjat rrallëherë mund të sjellin vendim të arsyeshëm, nëse nuk merret parasysh mendja. 

(Kosova Sot Online)