Ngjarje e vërtetë: U dashurova në të, por ai i tregoi burrit tim (4)

  • E.K /
  • 24 tetor 2020 - 16:18
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në të, por ai i tregoi burrit tim (4)

Ndjeja sesi skuqesha, por në të njëjtën kohë ndjeja edhe eksitim dhe lumturi. Mendimi se ende isha në gjendje t’i pëlqeja dikujt edhe atë dikujt të pashëm, një mashkulli më të ri, më trazoi tërësisht. Pra, ende nuk isha bërë për t’u hedhur! Dhe, zgjati kjo kështu edhe disa ditë, vetëm shkëmbenim shikime dhe vërejtje me dy kuptime. Më pas, ai bëri një hap më shumë. Një paradite përsëri erdhi deri te unë dhe ma ofroi ndihmën rreth prerjes së disa rremave. - Hej, mos e bëj këtë punë, Meri. Kjo mund të jetë e rrezikshme. Duart tua nuk janë mjaft të forta që t’i mbajnë këta rrema – derisa fliste m’u afrua, hoqi dorëzat dhe ma preku me butësi dorën. - Përkundër asaj se punon pa ndërprerë, duart i paske të buta.

Si ia del kësaj? E tëra je disi... e butë – më tha, duke ma ngritur lehtësisht mjekrën, për ta shikuar në sy. Isha e hutuar, por nuk ndërmora asgjë për ta penguar. Ndjeva një ndjenjë të papërshkrueshme të kënaqësisë dhe ato fluturat në bark. Më pas më mori lehtësisht për dore dhe më çoi prapa një shkurreje, ku ma vuri dorën rreth belit, e me tjetrën dorë sërish ma ngriti mjekrën, duke më puthur më pas me butësi. Jo me epsh, por ma dha një puthje të shkurtër dhe më lëshoi. Më duhet të pranoj se aspak nuk kisha kundërshtuar, e as nuk isha mbrojtur. Përkundrazi, më erdhi disi keq që puthja zgjati aq pak dhe që ishte aq naive. Por, pasi më lëshoi, sikur m’u kthye vetëdija dhe e shtyra, duke u larguar pa fjalë. Tërë atë ditë isha si e dehur, e droguar, apo të dyja në të njëjtën kohë. Bile edhe vajza dhe Avniu panë se nuk isha në vete. - Mami, për herë të tretë të pyes a të shkoj sonte në kinema, e ti nuk më përgjigjesh fare.

Gjithmonë më pyet me kë do të shkoj, kur, pse... dhe më bën qindra pyetje të tjera, e tani sikur nuk mërzitesh fare – më tha disi në shaka bija ime. - Po, po. Edhe mua ma qiti kafen me sheqer edhe pse e di mirë se kurrë nuk e pi kafen me sheqer. Nëna duket sikur të ishte dashuruar. Çka kam bërë që të biesh sërish në dashuri në mua? – u kyç në bisedë burri. Për të kjo ishte hajgare, por nuk e kishte idenë se sa afër të së vërtetës ishte. Me të vetmin dallim, se ai nuk ishte objekti i dashurisë sime. Toni ishte në mendjen time. Bile, kisha frikë se, pasi që e shtyva, ai më nuk do të interesohej për mua. E, unë doja që ai të interesohej për mua, bile shumë, sa më shumë... Doja që sërish ta ndjeja prekjen e tij në lëkurën time dhe tërë atë eksitim që më lindi më pas. Dhe, si për inat, gjatë disa ditëve të ardhshme ra shi, kështu që punëtorët nuk erdhën fare. Ndihesha sikur një kafshë e egër në kafaz.

Vajza ma lëshonte udhën, kurse burri edhe ashtu nuk ishte në shtëpi pjesën më të madhe të kohës, prandaj as që vërente se kisha ndryshuar. Por, kështu ishte me vite në martesën tonë – secili i zgjidhte problemet e veta të brendshme vetë, pa ndihmën e ndokujt. Më pas erdhi një mëngjes tepër i bukur. Më duhej ta shihja, por kisha frikë se do të shkonte diku larg, duke mos u kthyer tërë ditën. Nuk mundja që, hajt ashtu, t’ia leja çdo gjë rastësisë. E luta burrin që ta dërgonte një punëtor të më ndihmonte në kopshtin me lule, për t’i zhvendosur disa vazo të rënda. Ashtu shkarazi i thash se Toni do të ishte më i përshtatshmi, meqë më kishte ndihmuar edhe më parë dhe se kishte kryer shkollë për kopshtari, kështu që mund të më ndihmonte edhe me këshilla. Natyrisht, duke mos i shkuar mendja për të keq, burri im u pajtua me propozimin që ia bëra. Isha si një vajzë shkollore kur bie në dashuri. Mezi prisja ta shihja. Vazhdimisht shkoja në banjë, për t’u shikuar në pasqyrë sesi dukesha. Bile, vesha edhe rroba të reja sportive edhe pse do të më duhej të punoja me dhe. (vijon)

(Kosova Sot Online)