Ngjarje e vërtetë: U dashurova në të, por ai i tregoi burrit tim (6)

  • E.K /
  • 31 October 2020 - 16:14
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në të, por ai i tregoi burrit tim (6)

Më pas, thjesht, e mbylla telefonin. Nuk kisha çka t'i thosha. E, çka mund t'i thuash kërcënuesit, i cili të kërkon para? Më telefonoi edhe të nesërmen, por përsëri, thjesht, ia mbylla telefonin. Edhe ditën tjetër, sapo ia dëgjova zërin, e fika celularin. Ende isha duke menduar çka të bëja. Mendoja, ashtu naive sikur që isha, se ai do të dorëzohej nëse unë do të isha e vendosur në refuzimin e kërkesave të tij. Përsëri isha vetë e dhjeta dhe sikur të isha në trans, por tani për një arsye krejt tjetër, krahasuar me herën e parë, isha një mashtruese dhe viktimë e jaranit që më kërcënonte. Duke qenë ashtu e mërzitur me telashet e mia, as që kisha vërejtur se edhe burri disi ishte i zhytur në mendime dhe sikur nuk ishte aty.

Por, ai edhe ashtu rrallëherë fliste me mua. Një të hënë me shi, kur sikur parandjeja se do të ndodhte diçka e keqe, ai më thirri që të shkoja në zyrën e tij, që gjendej në pjesën e prapme të oborrit. Edhe më parë më kishte thirrur kështu kur i ishte dashur ndonjë gjë shpejt e shpejt, apo për të dërguar diçka në qytet, kështu që nuk u befasova kur më thirri. Por, kur hyra në zyrë, sikur më lëshoi toka. Aty ishte Toni. I ulur për merak, qëndronte në kolltukun përballë tavolinës punuese të burrit tim. Ai u kthye kah unë, më buzëqeshi me cinizëm dhe ma bëri me sy. Burri im ishte serioz. U ula në karrige dhe për disa momente të stërgjata, asnjëri nga ne nuk bëri zë. Çka të thosha? Çdo gjë ishte e qartë.

Toni i ka treguar burrit tim për ne. Por, ajo që zbulova pasi që filloi të fliste burri im, më tronditi edhe më tepër. - Javën e kaluar më thirri Toni dhe më tregoi për lidhjen tuaj. Ai më tha se nga ai nuk ke kërkuar vetëm që të të ndihmojë në kopsht, por ke kërkuar edhe shërbime të tjera. Ai më tha se ndihet i poshtëruar - filloi burri im me seriozitet, duke e drejtuar shikimin kah Toni. Ky i fundit vetëm tundi lehtë kokën, në shenjë pohimi. Isha aq e turpëruar dhe e befasuar, saqë nuk mund ta çilja gojën fare. Sa flet muri, aq flisja edhe unë. Vetëm heshtja. Nuk mund të gënjeja. I isha afruar fundit, por nga t'ia filloja? Heshtja ime mund të keqkuptohej edhe si pranim. - Meri, ma thuaj versionin tënd - ngulte këmbë burri. E shikova Avniun me tërë atë turp dhe dhembje në fytyrë dhe i thash: - Nuk mundem, Avni.

Jo këtu dhe jo në prani të tij. Por, kjo vetëm sa e zemëroi edhe më shumë burrin tim. Fytyra e tij shprehte disa ndjenja në të njëjtën kohë, secila më e vështirë se tjetra: zemërim, dhembje, zhgënjim. Por, edhe diçka që nuk e prisja - dashuri. A kisha parë mirë, apo vetëm më bënin sytë? Ai më shikoi me dashuri, sikur dikur moti. Dhe, më pas bëri diçka që po ashtu më befasoi, që nuk e kisha pritur. U ngrit, u afrua te dera, e hapi atë dhe tha: - Largohu nga shtëpia jonë menjëherë. Nuk dua kurrë të të shohë, apo të dëgjoj për ty. Dhe, mos harro, dikur kam ushtruar karate dhe ende në klub kam shumë miq. Isha e bindur se ato fjalë më drejtoheshin mua dhe, mendoja se i meritoja me plot të drejtë. Por, disi nuk mund ta kuptoja atë pjesën me karateistët. Për këtë shkak, e ngrita shikimin dhe, për befasinë time, pashë se ato fjalë i drejtoheshin Tonit. (vijon)

(Kosova Sot Online)