Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret(44)

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 13:41
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret(44)

Dreni priste nga ajo që, përfundimisht, të vendoste që të hiqte dorë nga martesa, por nuk i bënte presion, vetëm rrinte me të, aq sa për t’ia bërë me dije Ganes se çka priste ai nga ajo.

Në atë kohë Milaimi kishte shumë punë, gjë që ndikonte që dy të dashuruarit ta kalonin çdo natë së bashku, e gjatë ditës Dreni shkonte në trening të ekipit, të cilin kishte vendosur ta merrte. Vetëm 12 ditë para dasmës ndodhi diçka që ndikoi te Ganja që, përfundimisht, ta merrte një vendim. Ishte duke u kthyer nga darka, ku kishte qenë me Milaimin.

U ankua gjoja në dhembje të kokës, për të mos shkuar në banesë të tij dhe për të mos bërë dashuri me të. Prej se Dreni kishte hyrë në jetën e saj, ajo nuk kishte rënë në shtrat me Milaimin, gjë që këtë të fundit e bënte të ndihej keq, por ai e arsyetonte me vete këtë veprim të Ganes, si një nervozë para një hapi të madh, sikur që ishte martesa. Dreni erdhi i lodhur, por në disponim të mirë.

U ulën në kauç dhe filluan ta shikonin një film vendor humoristik. Kah gjysma e filmit, cingëroi celulari i tij. Ganja mund t’i dëgjonte përgjigjet e shkurtra të Drenit, e pasi që e ndërpreu lidhjen, pa sesi ai me shpejtësi mori çelësin e veturës dhe veshi pallton e hollë. – Më duhet të shkoj. Nuk besoj se do të kthehem sonte.

Shihemi nesër. Më fal! Ai u afrua që ta puthte, por ajo u largua.

– Për çka bëhet fjalë? Çka është kaq urgjent? Në bazë të shprehjes së fytyrës së Drenit, ajo arriti të kuptonte se ai ishte në hamendje, t’ia tregonte apo të mos ia tregonte të vërtetën. Ai e shikoi sikur t’i lutej që të mos i bënte pyetje shtesë, por Ganja pa se i duhej ta shfrytëzonte atë moment.

– Më trego! – Gane, doli diçka, do të bisedojmë nesër.

– Mirë, ne mund të bisedojmë nesër, por tani dua ta di se çka do të bisedojmë. Ai ofshau dhe e uli shikimin.

– Erdhi Minirja. – Kush?

– Minirja. Femra e cila ishte me mua në banjë.

– Ah, ajo... E, unë bash doja ta dija se ku është ajo dhe çka ishte bërë me të. Ganja e thoshte të vërtetën. Kurrë nuk e kishin përmendur, dukej sikur Dreni menjëherë e kishte eliminuar ekzistimin e asaj femre, me të cilën kishte qenë në lidhje para se ta takonte Ganen, prandaj as që kishte dashur ta pyeste. Tani Minirja u kthye si fantazmë, në momentin e duhur. – Ajo jeton në Gjermani.

Duhej të vinte pas një muaji, por paska vendosur të më befasojë, me rastin e përvjetorit të lidhjes tonë. Më duhet të shkoj ta marr në aeroport. – Sa mirë... nga përqafimi im, në përqafim të saj.

– Edhe ti je duke e bërë këtë tash e një kohë, herë me mua, e herë me atë arkitektin.

– Ke të drejtë... Dhe, kjo nuk ka kuptim. Për këtë shkak më së miri është që tani t’i japim fund gjithçkaje. Shko ti te Minirja jote, e unë do të vazhdoj me përgatitjet për martesë dhe për një jetë të lumtur me një burrë tjetër. Kjo duhej të ndodhte, herët a vonë. (vijon)

(Kosova Sot Online)