Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (23)

  • E.K /
  • 12 December 2020 - 14:58
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (23)

KAPITULLI I SHTATË

Ajo që i tha Ramizi e nervozoi shumë. Ndoshta jo edhe aq shumë për atë që i kërkoi, sesa për atë që i tha pasi që e refuzoi. Ramizi ishte njëri nga shokët e tij me të cilët kohët e fundit rrinte më së shumti. Ende i tingëllonin në vesh fjalët e Ramizit. "Kam menduar se të kam shok, e njeriu...unë për shokë jam në gjendje që të bëj gjithçka". Por, Kujtimi nuk mendonte kështu, as që kishte menduar ndonjëherë. "Ndoshta mu për këtë shkak edhe shokët mund t'i numëroj me gishtat e njërës dorë", mendonte shpesh ai. Zakonisht, në raste të tilla e ngushëllonte veten, duke thënë se fakti që nuk kishte shumë shokë ishte përzgjedhje e tij, e dinjitetit personal, e ruajtjes së këtij dinjiteti, e mos bërjes së kompromiseve të poshtra, por, për fat të keq, deri tani nuk kishte arritur ta bindte veten në këtë teori. Ramizi kishte kërkuar që, në rast nevoje, Kujtimi të dëshmonte rrejshëm për të në gjykatë.

Dje e paskan arrestuar Dr. Feratin, për shkak se kishte bërë një vlerësim joreal psikiatrik të një pacienti krahas një pagese të majme. Si dukej pacienti nuk ishte ndarë i kënaqur, qoftë për shkak të diagnozës që ia kishte shkruar dr. Ferati, apo, që kishte më shumë të ngjarë, me sasinë e parave që ia kishte kërkuar, prandaj e kishte paraqitur rastin në polici. Policia e kishin zënë dr. Feratin me pelë për dore, ia kishin gjetur paratë e pacientit në zyrë. Kjo nuk ishte hera e parë që ky mjek merrej me punë të tilla. Bile, ai ishte i njohur për këtë aktivitet, kështu që me të vërtetë ishte për t'u habitur që deri tani nuk ishte arrestuar.

Gjatë verës, para zyrës së tij krijohej një tollovi e madhe e "gastarbajterëve", të cilët vinin për të marrë pushim mjekësor, natyrisht duke e futur dorën goxha thellë në xhep. Ajo që e shqetësonte Ramizin, ishte se, në rastin për të cilin e kishin arrestuar dr. Feratin, kishte qenë ai që kishte marrë paratë nga pala dhe ia kishte dhënë dr. Feratit, me gjasë duke e ndalë një përqindje për vete. Ramizi kishte kërkuar që, në rast se atë do a thërrisnin në gjykatë, apo nëse do ta arrestonin, Kujtimi të dëshmonte se pacienti vet, me insistim, ia kishte dhënë paratë Ramizit. Kujtimi nuk iu kishte besuar zërave se Ramizi kishte filluar t'i sigurojë "klientë" dr. Feratit, por tani pati rastin që të bindej personalisht.

Edhe pse mundohej ta arsyetonte Ramizin, duke thënë vetë me vete se, i gjori, me gjasë ka qenë i detyruar t'i hynte një "biznesi" të këtillë (ai kishte katër fëmijë dhe nuk kishte të ardhura tjera, përpos rrogës modeste, për të mos thënë të mjerë, të mjekut), prapëseprapë mendonte se kishte bërë mirë që e kishte refuzuar kërkesën e tij. "Nëse edhe ne, si intelektualë, merremi me rrena dhe dallavere, atëherë ku mund ta marrim të drejtën që të kritikojmë qeveritarët për keqpërdorimin e pushtetit, apo ku mund ta marrim të drejtën që të shpresojmë se një ditë, kjo Kosova jonë e mjerë, e zhytur në korrupsion dhe varfëri, do të shkojë përpara. Të kam shok, por mos kërko nga unë që të dëshmoj rrejshëm për një njeri, të cilin as nuk e njoh, as nuk e di. Për një rast ku unë nuk kam qenë fare i pranishëm". Kështu i kishte thënë Ramizit dhe kështu edhe kishte menduar, me të vërtetë. H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)