Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (40)

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 09:03
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (40)

Kështu që, kur një mëngjes, derisa ishte në punë, i cingëroi telefoni, kur pa se ishte Moshe, Kujtimi vendosi që të mos e zgjaste më shumë këtë muhabet. - Alo, profesor! - Përshëndetje, Kujtim! - Përshëndetje profesor! Si je, a je mirë? - Mirë Kujtim, faleminderit. Jam shumë mirë. Po ti? - Mirë, unë jam mirë, por fëmijëve iu ka rënë lija e ujit dhe i ka munduar paksa...

- Më vjen keq. Mesa mund ta marr vesh, qenkan sëmurë fëmija? Ndonjë infeksion? - Po, po. Lija e ujit... variçella, profesor. - Aaa, variçella, se nuk e kisha të qartë për çka saktësisht bëhet fjalë. - Po, po... variçella. - Epo, mirë atëherë! Ajo di të jetë e bezdisshme, por kalon shpejt. Ha-ha. Kujt jam duke i treguar... Ti vet je mjek... "Jam mësuar tanimë me mendjemadhësinë tënde, mos ki merak", mendoi Kujtimi, por profesorit i tha diçka tjetër. - Tamam puna profesor, nëse ofendohem për gjëra të tilla. Kështu... në lidhje me këtë, të them ashtu, hulumtimin tonë, të Martave... - Po, Kujtim. Mu për këtë edhe vendosa të të thërrisja... "Hajde ishalla qenka mbushur mend dhe paska vendosur t'i jep fund këtij cirkusi". - Po?

- Kam një lajm të mirë për ty. Kujtimi priste diçka krejtësisht tjetër, prandaj këto fjalë të Moshes e hutuan paksa. "Lajm të mirë? Vetëm nëse ke gjetur vendbanimin e Të Martave, në mal". - Lajm të mirë? Profesor, më trego për çka bëhet fjalë? - Kujtim, kam gjetur një shkrim të tërë rreth Të Martave. - Ku e gjete, profesor?! Se unë kam kërkuar në internet dhe nuk kam gjetur asgjë... - S'ke pasur si ta gjeje, se nuk ka. Bëhet fjalë për një shkrim të vjetër më shumë se 100 vjet. - Vërtet? - Po, po... A të takohemi diku, e të bisedojmë më në hollësi? - Ëëëë... mirë, profesor. Ku po takohemi?

- Unë nuk e njoh aq mirë Prishtinën, kështu që mund të takohemi te Hotel 'Baci', aty ku u takuam për herë të parë. - OK, profesor. Për momentin jam në punë. Vetëm sa ta bëj një fletëlëshim dhe do të vij. Për nja 20 minuta... - Shihemi, Kujtim! - Shihemi! "Shihe ti njëherë. Këndej thotë se nuk e njeh mirë Prishtinën, e në anën tjetër ka gjetur një shkrim qindvjeçar, mu në mes të Prishtinës.

Ec e merre vesh..." KAPITULLI I GJASHTËMBËDHJETË Në Seminarin e albanologjisë, Moshes i kishte rastisur që të bisedonte me një profesor shqiptar të orientalistikës. Dhe, i preokupuar me çështjen e Të Martave si ishte, Moshe e kishte çelë këtë muhabet edhe me të.

Për habinë e Moshes, profesori në fjalë i kishte thënë se posedonte një shkrim të gjyshit të tij, i cili ishte hoxhë, ku flitej për Të Martat. Shkrimi ishte më se 100 vjet i vjetër dhe ishte shkruar në shqip, por me alfabet arab. Si orientalist që ishte, ky nipi i hoxhës kishte "deshifruar" dokumentin e gjyshit dhe bile e kishte të ruajtur edhe në versionin shqip, me shkrim standard, pra latin.

Me ta dëgjuar këtë, Moshe sa nuk kishte fluturuar nga gëzimi. Si dukej mundi i tij nuk do të shkonte huq. Por, profesori, nipi i hoxhës, e kishte lutur Moshen që ta shikonte edhe versionin origjinal të dokumentit, meqë aty kishte disa pjesë të shkruara, të cilat ai nuk kishte mundur t'i lexonte. Me ta parë dokumentin, respektivisht pjesët që kishin qenë të pakuptueshme për orientalistin, Moshe kishte vërejtur se bëhej fjalë për të shkruar me alfabet çifut. (vijon) 

(Kosova Sot Online)