Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (2)

  • 02 January 2021 - 15:59
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (2)

Merita, ti qenke! Nuk mund të besoj. Më vjen mirë që të shoh - reagoi spontanisht dhe me sinqeritet. Dukej se edhe ai, për një moment, harroi se isha paciente. U ngrit dhe, mbi tavolinë, ma zgjati dorën. - Po, vitet po kalojnë. Si je ti? - e pyeta e habitur nga fakti se e takova ish të dashurin tim. - Nuk është keq. Ja, kështu me punë. Nuk e kam ditur se je e martuar. Dua të them, e kuptova nga mbiemri - tha duke shikuar në një letër, ku me gjasë kishte emrat e pacientëve. - Tani kam mbiemër tjetër. Atë të burrit - thashë me një zë të ulët, e vetëdijshme se, në fakt, unë isha pacientja e tij. - Po - tha shkurt. Për një moment u duk i zhytur në mendime, e më pas më pyeti: - E ti? Si duket, nuk më prisje mua - tha ai, duke kuptuar se nuk kisha ditur se te cili mjek kisha shkuar.

Jo. Më tha të vija një shoqe, prandaj... - buzëqesha, e vetëdijshme se atij në fakt, do të duhej t'ia tregoja problemet e mia intime, gjë që nuk më përshtatej aspak. - Shpresoj që nuk të pëlqen. - Çka? - thash e hutuar. - Që të ra kontrolli bash te unë. - Në fakt, po. As që doja të vija, por shoqja ime insistonte. Mendoj se nuk ka nevojë që të rri … - thash duke tentuar që të ngritesha. - Merita, të lutem! Relaksohu, vetëm do të bisedojmë. Me të vërtetë më vjen mirë që të shoh - më tha duke parë qëllimin tim që të largohesha, prandaj unë u ula sërish. Atë moment i cingëroi celulari. E shikoi ekranin, e më pas sikur më kërkoi falje: - Është vajza ime. Nuk do ta zgjas shumë. Ai e hapi telefonin, e unë mendoja, duke e shikuar.

D.m.th. paska vajzë. E dija se ishte martuar me njëfarë doktoreshe, por nuk kisha ditur se kishin fëmijë. Ky mendim sërish ma kujtoi humbjen e bebes, prandaj fillova që të bëhesha nervoze. - Zemër, natyrisht se mund të vijë edhe shoqja jote. E, tani më duhet ta mbyll, kam punë. Tregoji nënës se do të vij të të marr në orën nëntë. Shihemi, princeshë - përfundoi ai me një zë të butë. Pasi që e la celularin, më shpjegoi: - Ishte bija ime. I ka nëntë vjet dhe nesër do ta çoj në kopshtin zoologjik. Atje do ta organizojnë njëfarë dite edukative, e ajo i adhuron kafshët. E ka një qen, por meqë Mirela është alergjike, qeni rri te unë. Mirela është ish gruaja ime - Iliri sikur edhe më parë, ishte spontan, prandaj me pak fjalë, nga ai mësova shumëçka rreth tij. - Ah, njëmend, a? - thash unë, e ai buzëqeshi. 

As tani nuk je fort e prirë për të folur - tha si me shaka, por unë u preka paksa edhe pse nuk thash gjë. Iliri dhe unë ishim goxha të ndryshëm. Ai ishte i hapur dhe argëtues, derisa unë isha e tërhequr në vetvete, prandaj e kisha vështirë të vija kontakt me njerëzit. Isha e dashuruar në të, por e lash sapo mora vesh se më kishte tradhtuar. Ishte i dhënë pas femrave dhe nuk mund t'iu bënte ballë vajzave të reja, të cilat e ndiqnin pas.

Me gjasë edhe tani është i tillë, thash duke e shikuar. - Merita, e di se kjo situatë nuk është e rëndomtë për ty, por unë jam mjek. Lirisht më trego se çka të mundon. Ne, fundja, e njohim njëri-tjetrin, apo jo? Unë dua të të ndihmoj - tha ai, duke tentuar që të më relaksonte, gjë që deri diku edhe ia doli. Faktikisht, ai ishte psikiatër, e unë kisha caktuar një vizitë. Nuk mund t'ia merrja më shumë kohën, mendova, prandaj fillova të flisja: - Tre muaj më parë isha shtatzënë, e më pas e humba beben. E kam vështirë ta përballoj këtë, prandaj… - u ndala, duke mos ditur çka të thosha më tej. Në fytyrën e tij vërejta një keqardhje, gjë që më trimëroi të vazhdoja: - Pata një abort spontan. Ishte ky fëmija im i parë, dua të them, i imi dhe i burrit. (vijon)   

(Kosova Sot Online)