Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (9)

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 16:19
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (9)

Qysh të nesërmen Iliri kërkoi që të takoheshim sa më parë. Ishte pasdite vonë. Nuk isha vetëm prandaj fillova të endesha me frikë nëpër dhomë. Bahriu ishte në banjë. - Hajde te unë në ordinancë. Nëse mundesh, menjëherë - Iliri ishte tepër serioz. Unë i thashë se nuk mund të shkoja menjëherë, por ai vazhdoi që të insistonte. - Merita, mendoj se burri yt i ka dhënë ryshfet atij mjeku. I ka dhënë ryshfet që të të jepte injeksione për të shkaktuar abort - pasi që i dëgjova këto fjalë, më mbuluan djersë të ftohta. Bahriu hyri në dhomë, e mua gati më ra celulari nga dora.

 Kush është? - më pyeti, pasi që ma pa fytyrën time, të kapluar nga tmerri. Nuk dija të shtiresha, e fjalët e Ilirit më kishin mbushur zemërim. - Është Ariana. Më vjen keq, më duhet të shkoj. Mundohu që të flesh e të pushosh - thash dhe e ndërpreva menjëherë lidhjen. - Çka dëshiron ajo në këto orë të vona? - vazhdoi ai të insistonte. - I ka rënë gripi. Paska ethe - thash unë, meqë nuk mu kujtua asgjë më mirë. Ai ma ktheu me dyshim: - Gripi, në këtë periudhë të vitit?! Vetëm të nesërmen, pas një nate torturuese, ia dola që të shihesha me Ilirin, në ordinancën e tij. E vërteta ishte e tmerrshme, por e qartë.

Nëpërmes ish gruas së tij, Mirelës, Iliri kishte marrë vesh emrin e gjinekologes sime të mëparshme. Ajo i paska thënë Mirelës se shëndeti im ishte i mirë dhe se nuk kishte nevojë për abort spontan. E, mjeku te i cili më kishte dërguar Bahriu, edhe më parë ishte dyshuar për marrje të ryshfetit, por kishte shpëtuar pa dënim. - Jam i bindur se ai të ka dhënë injeksione që shkaktojnë abort. Dhe, për këtë ka marrë para të majme nga burri yt. Por, kjo do të jetë vështirë që të dëshmohet, meqë ai me gjasë askund nuk ka shënuar se çka të ka dhënë. Por, jam goxha i sigurt se bëhet fjalë për një ilaç i cili mund të jepet në mënyrë intravenoze dhe i cili mund të shkaktojë komplikime serioze të shtatzënësisë.

E nxitë mitrën që të tkurret, shkakton vjellje, mundim, alivanosje - më thoshte Iliri, derisa unë rrija si e ngrirë. - A i ke pasur këto simptoma? - më pyeti. - Po. Dhe, më pas kam vjellë disa herë, e po ashtu më vinte edhe mundim - i thash, duke i kujtuar ato momente të vështira. Tani kuptova pse Bahriu më kishte çuar te ai mjek. Kishte vendosur me çdo kusht që ta parandalonte lindjen e atij fëmije. - Ai është përbindësh - thash, e tronditur nga ajo që dëgjova. - Më nuk do të kthehesh atje. Asnjë ditë më nuk do ta kalosh me të - më tha me vendosmëri.

 Kam frikë, Ilir - i thash dhe vendosa përfundimisht që ta lija burrin tim. Pas kësaj më nuk mund të paramendoja të rrija me të. - Nuk ke arsye për frikë. Më nuk je e vetme. E unë do të përkujdesem që ai mjeran më të të mos afrohet kurrë. Do t'i kërcënohem edhe atij, e edhe gjinekologut kriminel me hetime rreth rastit. Do të shohësh, kjo do të mjaftojë. Më vjen keq, Merita. Më vjen keq për ty dhe për faktin se do ta kemi vështirë ta dëshmojmë këtë - më tha mashkulli të cilin kishte kohë që e kisha lënë, e që tani më shpëtoi nga ferri. - Pse po shqetësohesh kaq shumë? - e pyeta. - Paj, ti je pacientja ime, apo jo? - mu përgjigj, por pasi që pa lotët në sytë e mi, shtoi: - Dhe, e dashura të cilën e kam dashur më së shumti. Si dhe gruaja të cilën nuk dua që ta humbas edhe një herë. Fund

(Kosova Sot Online)