Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (67)

  • E.K /
  • 29 January 2021 - 15:54
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (67)

Më pas, pasi që i biri u zgjua nga gjumi dhe u ushqye, Kujtimi vendosi që të bisedonte me të, pa marrë parasysh sa i neveritshëm i dukej vetja në rolin e bashkëshortit dyshues. Mundohej që ta arsyetonte veten. "Duhet ta kuptoj se a i ka ndodhur ndonjë gjë djalit". Sikur edhe që priste, i biri nuk përmendi kurrfarë "njeriu tjetër". Ai me të ëmën paskan thirrë një taksi dhe paskan shkuar në Stacionin e autobusëve. "Aty mami filloi që t'i bërtiste një gruaje dhe, më pas, erdhën policia dhe na morën me kerrin e tyre, që të na vozitnin". Mori një mesazh nga Albana, motra që jetonte në Angli, e cila i tregonte se do të vinin nesër, bashkë me burrin e saj dhe me nënën, si dhe e pyeste si ishte Sabrina.

Me gjasë kishin marrë vesh se çka kishte ndodhur edhe pse Kujtimi nuk e dinte kush kishte mundur t'iu tregonte. "Ndoshta Besniku?", pyeti veten Kujtimi edhe pse e dinte se i vëllai nuk e kishte zakon që të merrej me punë të tilla. Edhe nëse iu kishte treguar, ai nuk kishte bërë ndonjë gabim, por disi nuk donte që kjo punë të bëhej edhe më e madhe sesa që tanimë ishte bërë. Nuk i zinte vendi vend. Ndezi TV-në vetëm hajt, ashtu. Pa se gjykata e kishte shpallur Fatmir Limajn të pafajshëm. Përsëri! Kapitulli i njëzetetetë - Halo kevo! Kako si, bre!? Vidim da si me pozvala jedno hiljadu puta... (Alo, nënë! Si je, moj?! Shoh se më ke thirrë njëqind herë). Ishte e vërtetë.

Marta gjatë tërë ditës së djeshme ishte përpjekur që të fliste me Denisin, por vazhdimisht i ishte lajmëruar zëri i regjistruar i operatorit. - Denis, bir! A je mirë? - Mirë, nënë... Uh, faleminderit Zotit! - Isha me disa shokë në Hungari, për vikend dhe ma lëshoi telefonin bateria. E kisha harruar mbushësin në shtëpi... - Nuk mund ta marrësh me mend se sa jam bërë merak... - Po, pse nuk i telefonoje Svetlanës... apo fëmijëve... Svetlana ishte gruaja e tij. - Doja të flisja me ty... është një çështje midis meje dhe teje. - Njëmend? Për çka e ke fjalën?! Për disa sekonda nuk u dëgjua asgjë nga ana e Martës. - Nënë?! - Deni, biri im. Duhet të vish te unë. Nuk është një punë që mund të thuhet në telefon. - A përsëri babai, a? Ai e bëri këtë pyetje me një zë më të ulët, më serioz, me një dozë zemërimi dhe pikëllimi në vetvete. - Jo, jo... Autor: H. B. I

(Kosova Sot Online)