Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (77)

  • E.K /
  • 07 February 2021 - 16:14
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (77)

Prorokovic bëri një grimasë me të cilën bënte me dije se nuk ishte mësuar që të tjerët ta ndërpritnin bisedën me të, për t'u lajmëruar në telefon. - Mirë, mirë... Denisi hetoi pakënaqësinë e Prorokovicit, prandaj u ngut që sa më parë ta përfundonte telefonatën. U largua në një kënd të zyrës së madhe, ku ishte duke e zhvilluar bisedën me biznesmenin dhe, me një dozë nervozizmi e hapi celularin, i cili nuk pushonte së rëni. - Halo! Në anën tjetër mbretëroi heshtja. Kjo ia ngriti edhe më shumë nervat. - Halo, bre! A më dëgjon? Sapo ai u bë gati a mbyllte celularin, dëgjoi një zë të dobët, por shumë të njohur për të.

Deni? Nuk i kujtohej që i ati... Zorani, ta kishte thirrur kështu ndonjëherë. Kështu e thërriste vetëm e ëma dhe Svetlana. Por, nuk kishte asnjë dyshim se zëri ishte i Zoranit. - Baba? Çka ka?! Përsëri u ndesh me boshllëkun e qetësisë. - Baba?! Si është nëna? A ka ndodhur ndonjë gjë? Me Martën nuk kishte biseduar nga momenti kur kishte dalë nga shtëpia e saj si i xhindosur. Ajo e kishte thirrur disa herë, por ky nuk ia kishte hapur celularin. Thjesht, ende nuk kishte mundur ta treste atë që i kishte treguar ajo. Bile, ishte munduar ta linte anash atë gjë, meqë i dukej një temë tepër e vështirë. Mundohej ta injoronte, ta trajtonte si një ëndërr të keqe, efekti i së cilës do të kalonte me kohë.

Por, përkundër kësaj, që nga ajo ditë i dukej se ishte në një dimension tjetër. Në një botë ëndrrash, por ëndrrash të këqija... - Denis, Marta... nëna... Nervozizmi i tij tani u përzie me një stres, frikë të madhe, frikë nga më e keqja. - Fol, bre! Çka ka ndodhur? Çka ka nëna? Këtë e tha me një zë aq të lartë, sa që për një çast ia hodhi një shikim Prorokovicit, sikur për t'i kërkuar falje, por vërejti se ai kishte filluar të luante me iPhone-n e tij. - Denis, më vjen keq... Nëna ka ndërruar jetë! Sapo dëgjoi këto fjalë, një fishkëllimë ia shurdhoi veshët. Iu duk sikur iu errësua edhe shikimi.

E futi celularin në xhep dhe, për një moment ngeli i palëvizshëm. Tani vërejti se Prorokovici e shikonte me vëmendje. - Çdo gjë në rregull?! Nuk iu përgjigj fare. Nuk mundte. - Z. Uskokovic? Ende nuk mund të fliste. Vetëm ia bëri me dorë, duke ia bërë me dije se i duhej të shkonte. Doli nga zyra. Pasi që bëri disa hapa korridorit, dëgjoi Prorokovicin duke shqiptuar një të sharë të rëndë, por kjo gjë nuk i bëri aspak përshtypje. Sekretarja kishte dalë para derës së zyrës dhe e përcillte me një shikim të habitur, derisa ai largohej drejt liftit. *** Nuk mund të besonte se personi që rrinte i shtrirë në arkivolin e zi, në fakt ishte nëna e tij.

Personi më i dashur i jetës së tij. Në kokë i silleshin të gjitha peripecitë dhe momentet që kishte përjetuar me të. I kujtoheshin fjalët e ëmbla të saj, buzëqeshjet, sytë e saj të përlotur, lëvdatat që ia bënte, kritikat, puthjet, ledhatimet, urimet, i kujtohej vuajtja në sytë e saj, admirimi me të cilin e shikonte, i kujtohej aroma e saj. I kujtohej kur ia mësonte shkronjat, kur ia lidhte këpucët, kur ia jepte me vete ushqimin, kur e porosiste që të mos vonohej në mbrëmje. I kujtoheshin vuajtjet e saj gjatë kohës kur ai ishte bërë rob i drogës. Para syve i dilte fytyra e saj e gëzuar kur ky i kishte treguar se kishte vendosur të martohej, i kujtohej dashuria të cilën ajo e kishte për Markon dhe Violetën...   

(Kosova Sot Online)