Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (81)

  • G.G /
  • 11 February 2021 - 10:11
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (81)

- Ta dish se shtëpinë e kalova në emrin tënd... Denisi deshi të thoshte diçka, por Zorani ia bëri me dorë, duke i lënë të kuptonte se ende nuk kishte mbaruar së foluri. - E di shumë mirë se nuk do të kalojë shumë kohë dhe kjo e mallkuara raki do të ma marrë shpirtin, prandaj në vend se ta marrë shtëpinë motra ime egoiste dhe e ligë, merre ti, sepse të takon.

Edhe pse Zoranit nuk i tha asgjë, Denisi e dinte se kurrë nuk do ta merrte atë shtëpi. Mendonte se nuk i takonte. Nëse me të vërtetë Zorani ia kishte lënë atij, atëherë do ta jepte për qëllime bamirësie.

KAPITULLI I TRIDHJETENJËTË

Si duket Moshe kishte kontaktuar me media, në lidhje me 'zbulimin epokal', sepse "Daily Mail" britanik shkruante gjerë e gjatë rreth "zbulimit epokal të mbetjeve të neandertalit më të ri në histori", të bërë nga "tandemi i hulumtuesve", zotërinjtë Gerzon dhe Sopi, derisa mediet kosovare ende nuk kishin asnjë lajm në këtë drejtim. Përpos që përmendej se dr. Sopi ishte psikiatër, nuk jepej ndonjë informatë shtesë rreth Kujtimit, derisa për Moshen jepej një biografi e shkurtër.

Rreth Të Martave ishte dhënë një legjendë e cila kishte shumë dallime me atë origjinalen, por dallimet ishin kryesisht të një rëndësie të vogël, me gjasë për shkak të pamundësisë së përkthimit apo të të kuptuarit adekuat. Ajo që i bëri përshtypje Kujtimit, ishte ideja që përmendej në këtë ueb sajt, rreth xhirimit të një filmi rreth Të Martave. "It would be a blockbuster hit", thuhej në përfundim. Moshe ishte i tëri i kapluar nga entuziazmi dhe, për pak orë, i kishte dërguar disa e-maila, ku shprehte gëzimin e tij me "zbulimin" që kishin bërë, si dhe i dërgonte disa linqe të medieve izraelite që njoftonin për këtë gjë.

Kujtimit çdo gjë i dukej si ëndërr. Ende nuk e kishte diskutuar me askënd këtë temë, bile as me Sabrinën, e cila, përndryshe, ishte mbuluar dhe, bashkë me vjehrrën, kishte filluar të falej. Kjo vetëm sa e kishte thelluar edhe më shumë hendekun midis saj dhe Kujtimit edhe pse, dorën në zemër, ajo disi ishte bërë më pak armiqësore ndaj Kujtimit, bile edhe i kishte folur dy-tri herë si shkarazi.

E, Kujtimi nga ana e vet, mbante qëndrimin e një fajtori edhe pse nuk kishte kokërr faji në tërë këtë mesele. Ndoshta fakti se ai i mbante "veshët në lesh" kishte përforcuar edhe më shumë bindjen e Sabrinës se ai e kishte mashtruar. Para dy ditësh Kujtimi u bë edhe zyrtarisht psikiatër, meqë dha provimin e specializimit. Edhe pse kaloi me sukses, mbeti shumë i pakënaqur nga trajtimi që iu bë. Komisioni që e pyeti për provim, e që përbëhej nga tre anëtarë, ishte i përbërë nga dy profesorë të cilët tani punonin në Klinikën e neurologjisë, me të cilët Kujtimi nuk kishte pasur asnjë kontakt profesional.

Për më tepër, meqë ishin të shtyrë në moshë, pyetjet e tyre bazoheshin në literaturën e vjetër jugosllave, e jo në atë bashkëkohore amerikane, nga e cila kishte mësuar Kujtimi. Tani ishte psikiatër, por kishte ngelur në të njëjtën kohë edhe i papunë. Edhe pse, po të respektohej ligji, ai do të duhej që të sistemohej menjëherë në vendin e ri të punës si specialist, nga përvoja e kolegëve të tij më të vjetër e dinte se do t'i duhej të priste të paktën një vit, para se të punësohej. (vijon)

(Kosova Sot Online)