Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (86)

  • E.K /
  • 17 February 2021 - 15:50
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (86)

KAPITULLI I TRIDHJETETRETË Sikur të mos ishin incidentet në veri, do të mund të thuhej se Kosova, përfundimisht, mbajti zgjedhje për lakmi. Ishte hera e parë që thuajse askush nuk ankohej për vjedhje të votave, sikur që ishte hera e parë edhe që në komunat PDK-iste në Drenicë nuk votuan mbi 70 a 80 % të votuesve. Kujtimi kishte votuar vetëm për shkak se këtë e ndiente si obligim qytetar, përndryshe asnjë parti nuk e kishte bërë për vete me ofertën dhe kampanjën e saj. Bile, vota e tij kishte qenë votë "kundër", e jo "pro". Duke ia dhënë votën kandidatit për kryetar të komunës, ai në fakt kishte votuar kundër kryetarit aktual. I vinte shumë inat që shumica e njerëzve votonin si me inerci.

"Një herë ia kam dhanë besën Rugovës dhe nuk e thyej këtë besë"! Apo, "kurrë nuk do të votoj për ata që ikën në kohën e luftës". Megjithëse, lëvizja ishte e vogël, prapëseprapë i dukej se, në këto zgjedhje lokale, njerëzit kishin filluar të largoheshin nga ky mentalitet. Mbetej të pritej e të shihej se si do të zhvilloheshin zgjedhjet qendrore. Sabrina përfundimisht kishte filluar që ta manifestonte një ngrohtësi më të madhe karshi tij. Por, shaminë nuk e kishte hequr. Përkundrazi, kishte kërkuar nga Kujtimi që edhe ai të fillonte të falej. "Shiko, për të tjerat nuk të them gjë, por ta dish se as nuk e lëshoj mjekrën, e as nuk veshi pantallona të shkurtra", kishte thënë Kujtimi gjysmë në shaka, e gjysmë përnjëmend.

Sabrina kishte qeshur. Kishte kohë që nuk e kishte parë atë të gëzuar, prandaj vendosi që të mos ia prishte qejfin, që t'i lexonte disa libra fetarë që ia preferoi ajo. Por, edhe pse vetes i thoshte se këtë e bënte vetëm për hir të gruas, Kujtimi ndjente edhe vetë një boshllëk, një nevojë që ta gjente një kuptim më të gjerë të jetës. Ai nuk e konsideronte veten ateist. Ishte i bindur se bota, tërë universi, doemos duhej ta kishte një Krijues. Teorinë e evolucionit nuk e hidhte poshtë edhe pse vetë fakti që quhej teori fliste mjaft. I kujtoheshin fjalët e shkrimtarit Ernesto Sabato (për të cilin më pas mësoi se kishte prejardhje nga arbëreshët e Italisë, gjë që e bëri ta pëlqente edhe më shumë) në librin "Mbi heronjtë dhe varrezat" ku, në lidhje me teorinë e evolucionit, respektivisht të asaj që ishte kuptimi i reduktuar i saj - i prejardhjes së njeriut nga majmuni - Sabato thoshte se, po të kishte Krijues, çka do t'i kushtonte atij të luante me ne të mjerët, t'i vinte disa eshtra aty-këtu, vetëm sa për t'i gjetur më pas ne dhe për t'i konsideruar eshtra të paraardhësve tanë majmunë?

Sido që të ishte, kishte vendosur që të lexonte sa më shumë rreth fesë, rreth religjionit në përgjithësi. Derisa mendonte për eshtrat e paraardhësve tanë të supozuar, i ranë ndërmend eshtrat e Të Martës, apo neandertales, të cilat i kishte gjetur Moshe. Dr. Flamuri kishte biseduar me Moshen dhe, pasi që ky i fundit e kishte lutur, kishte vendosur që të mos e lajmëronte policinë, por të priste sa të vinte Moshe në Kosovë, gjë që pritej pas disa ditësh. Ndoshta ishte hera e parë që Kujtimi nuk e priste ardhjen e Moshes me përtesë dhe averzion, por me një interesim dhe, ndoshta edhe ngazëllim. Disi nuk i pritej që të sqarohej çështja e "zbulimit epokal" që kishte bërë me Moshen. Mediat kishin filluar që ta thërrisnin dhe ta pyesnin rreth "zbulimit", por ky kishte vendosur që të mos jepte informata derisa të arrinte Moshe. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)