Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (90)

  • A.P /
  • 21 February 2021 - 17:54
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (90)

Pasi që me mund të madh u përqendrua te pyetja, dha një përgjigje të përgjithshme, por sikur ta pyeste ndokush se çka kishte thënë, nuk do të dinte të tregonte. Si duket përgjigjja e tij qe e mangët, meqë u kyç edhe Moshe duke e plotësuar atë. Pasi kaluan disa minuta, Kujtimi filloi që të përqendrohej më shumë në pyetjet e gazetarëve."Ani çka që po i përngjaka babait? Me gjasë është një rastësi", filloi të mendonte ai, duke u munduar që të mos e shikonte më njeriun misterioz. Pa se as ai nuk ishte duke e shikuar më. Por, tanimë pyetjet kryesore dukej se ishin bërë, kështu që pasuan disa pyetje dytësore, rreth asaj se a shpresonin ta merrnin Nobelin për këtë zbulim, se si kishin reaguar qarqet shkencore ndaj zbulimit, etj. Kur u duk se konferenca ishte duke marrë fund, në radhët e pasme të gazetarëve sesi u krijua një tollovi. Dikush donte që të kalonte më përpara, me gjasë për ta bërë ndonjë pyetje. Panë se ishte një femër, me gjasë ndonjë gazetare. Moshe reagoi i pari. - Bëhuni xhentëlmenë, le t'ia lëshojmë rrugën zonjës, a zonjushës, që të afrohet. Gazetarët kështu edhe bënë. Gruaja filloi që të afrohej, duke ecur kokulur, me gjasë për të mos marrë në thua në këmbët e shumta të kamerave, apo në kabllot e mikrofonave. Edhe pse nuk ia shihte fytyrën, Kujtimit i dukej e njohur ecja e asaj femre. "Joooo, nuk është e mundur", tha ai vetë me vete, pasi që kuptoi se ajo femër nuk ishte gazetare, por ishte vetë dr Valentina. "Athua çka dreqi dëshiron ajo këtu"?

Pasi doli në rend të parë, Valentina ngriti kokën. Kujtimi pa se ajo sa nuk vlonte nga zemërimi. Sytë e saj ishin të skuqur, sikur në atë ëndrrën e frikshme të Kujtimit. Të tjerët nuk e kishin të qartë se çka ishte duke ndodhur. - Ti që ma shkatërrove jetën. A po kënaqesh, po? Je bërë alamet shkencëtari, apo jo? Valentina iu drejtua Kujtimit duke folur me zë të lartë, por ky mbeti pa fjalë. Të gjithë kuptuan se qëllimi i saj nuk ishte që të bënte pyetje në lidhje me konferencën për shtyp, prandaj nuk vonoi shumë e filluan të lëviznin pjesëtarët e sigurimit, duke u drejtuar kah ajo. Në atë moment ajo nxori dorën nga xhepi i mantelit të gjatë të shiut, të cilin e kishte veshur. - Ti të kënaqesh e të shesësh mend këtu, e jeta ime të shkatërrohet - kurrë jo! Disa sekonda para se të dëgjoheshin të shtënat, u dëgjuan disa bërtitje të të pranishmëve, të gazetareve sidomos, të cilat e kishin parë revolen në dorën e Valentinës. Kujtimi hetoi sesi plumbi e shpoi nën brinjët e djathtë, por në ato momente Moshe i doli përpara. Nuk mund të shihte gjë, por mund të dëgjonte sesi Valentina shtiu edhe tri-katër herë para se të kapej nga punëtorët e sigurimit. Pasi që u ndalën të shtënat, pa se Moshe ishte goditur në gjoks. Shkëlqimi i syve të tij vinte duke u shuar. Por, çuditërisht, ai buzëqeshte. - Profesor!?... Profesor?! Nuk dinte çka të thoshte tjetër. Plagën e vet nuk e hetonte aspak edhe pse pa që këmisha e kaltër i ishte njollosur me të kuqe. Ndjente një fajësi të madhe për atë që i kishte ndodhur profesorit. Shikoi në të majtë dhe të djathtë, por pa se të gjithë kishin ikur, apo ishin duke ikur si të pakrye. - Kujtim... - Profesor... pse?! Profesor... - Kush është kjo... Kujtim? Ndonjë... paciente? - Paciente?!... Po... paciente... Profesor, a je mirë? Profesori nuk u përgjigj, por shikimi i tij tregonte se ai nuk ndihej dhe nuk ishte aspak mirë.  


(Kosova Sot Online)