Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (89)

  • 20 February 2021 - 16:03
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (89)

Nga zhurma që u krijua gjatë fjalimit të tij, u pa se gazetarët nuk çanin kokën për atë që ai ishte duke thënë. Erdhi edhe radha e pyetjeve të gazetarëve. Kujtimi e shikoi me habi Moshen kur ai së pari ua dha fjalën gazetarëve të "RTS" të Serbisë. Por, më pas konstatoi se ai nuk e kishte bërë këtë me ndonjë paramendim, por thjesht për faktin se gazetari serb ishte paraqitur i pari për të shtruar pyetje. Pa se Moshes ia dhanë një listë me renditjen e gazetarëve që do të bënin pyetje. Sikur edhe që mund të pritej, gazetari serb, pasi që u mundua në çdo mënyrë ta minimizonte zbulimin e bërë, muhabetin e solli te çështja e "Kosovës dhe Metohisë", duke dashur që ta mbante një ligjëratë historike, por Moshe e ndërpreu atë, duke i thënë që të kalonte te pyetja.

Edhe pyetja ishte kryekëput politike, e thënë me një anglishte të çalë, me një aksent të theksuar sllav. - Duke u nisur nga fakti që Izraeli nuk e njeh "Kosovën e Metohinë" si shtet, a dmth kjo se profesori i nderuar Moshe Gerzon pajtohet se zbulimi, çfarëdo qoftë ai, mund të thuhet se është bërë në "truallin e Serbisë"? Kjo ishte pyetja e gazetarit të "RTS"-së. Menjëherë ishte e qartë se ajo e nervozoi Moshen. - Me të vërtetë habitem sesi në një rast si ky, kur përpara nesh kemi një zbulim epokal, ju e shihni të udhës që të bëni pyetje të politikës ditore. Por, meqë pyetët, po ju përgjigjem. Është e vërtetë se vendi im, Izraeli, ENDE nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por mund t'ju them se për mua, si Moshe Gerzon, si dhe për shumë shokë e miq të mi në Izrael, çështja e pavarësisë së Kosovës është punë e kryer dhe ne e pranojmë këtë fakt me vullnet e dëshirë të madhe... Gazetari serb deshi të reagonte, por meqë nënpyetjet nuk ishin paraparë në programin e konferencës për shtyp, atij iu mor mikrofoni.

Kujtimi deshi të fliste edhe vet, meqë edhe ai ishte nervozuar nga pacipëria e gazetarit serb, por Moshe ia bëri me kokë sikur donte t'i thoshte "lëre, hiqu tij"! Më pas fjalën e mori gazetari i "DW", i cili si dukej ishte i informuar në temat shkencore mjaft mirë, meqë pyetjen e tij ia drejtoi dr Goldsteinit, diçka në lidhje me gjenotipin, por Kujtimi nuk arriti ta kuptonte mirë pyetjen. Vëmendja e tij u shpërqendrua nga diçka që pa. Apo, thënë më mirë, nga personi që pa, nga një njeri i cili qëndronte në fund të sallës, duke e shikuar atë ngul në sy. Ishte evidente se ai nuk ishte gazetar, sepse ishte vetëm dhe nuk mbante kurrfarë diktafoni, a blloku të shënimeve në dorë. Kujtimi u step.

Pamja e atij njeriu për të ishte shumë familjare. Në fillim nuk e pati të qartë se ku e kishte parë atë fytyrë, por nuk vonoi shumë e kuptoi se para vetes kishte një njeri i cili i ngjante tmerrësisht shumë babait të tij të ndjerë, derisa ishte i ri. Iu duk sikur ishte duke shikuar fotot e vjetra, bardhezi, të të atit, të kohës kur ai sapo kishte mbaruar specializimin në Beograd dhe kishte filluar të punonte si pediatër. Edhe ai njeriu nuk ia ndante shikimin. Kujtimi dëgjonte zërat e atyre që flisnin, pa se edhe ai Freewilli tha diçka, por nuk arrinte ta përcillte bisedën. Pa se sytë e të gjithëve u drejtuan kah ai. Por, nuk e dinte përse. Shikimin e drejtoi kah Moshe, si për të kërkuar sqarim. Ky i fundit buzëqeshi lehtazi, me atë buzëqeshjen e tij karakteristike dhe i pëshpëriti në vesh pyetjen që ia kishte bërë gazetari i "CNN"-it. Ai e kishte pyetur Kujtimin se sa ishte e përhapur legjenda e Të Marteve në popull. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)