Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në një diler droge (1)

  • 22 shkurt 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në një diler droge (1)

Hajde, Drenusha, pse po kundërshton kaq shumë që të dalësh me ne? - insistonte ta dinte shoqja ime më e mirë Meli. - Sepse tanimë më janë mërzitur meshkujt dhe nuk më duhen deri në vdekje, e bile as pas vdekjes - iu përgjigjja me nervozizëm. - Marrëzi! I ke vetëm 22 vjet. Fundja, vetëm pse një herë hase në budalla, nuk d.m.th. se të gjithë do të jenë të tillë. Duhet t'ia japësh vetes mundësinë që ta takosh shpirtin tënd binjak, e atë nuk do ta takosh nëse rri vetëm në shtëpi, duke shikuar TV-në - vazhdonte me të sajën Meli. E dija se ajo kishte të drejtë dhe se ma donte të mirën. Ishim shoqet më të ngushta që nga çerdhja, i ndanim të gjitha sekretet, i zgjidhnim problemet së bashku dhe iu gëzoheshim momenteve të lumtura të njëra-tjetrës. Kur e takova Agonin, Meli menjëherë më tha se nuk mendonte që ai është për mua.

Natyrisht, e verbuar dhe e paarsyeshme, nuk e kisha dëgjuar askënd. Ai ishte dashuria ime e parë e shkollës së mesme, disa vjet më i vjetër se unë dhe një djalë tepër i talentuar. Të gjitha vajzat e donin dhe ofshanin për të. Unë nuk e konsideroja veten ndonjë bukuroshe, e kisha prejardhjen nga një familje mesatare punëtorësh, prandaj nuk kisha mundësi t'i ndiqja trendët më të ri të modës. Kur Agoni më pyeti a dua që të kaloj me të, m'u duk vetja se fluturova nga gëzimi. Një djalë si ai ishte dashuruar në mua, më dukej se isha duke ëndërruar. Por, ëndrrës shpejt i erdhi fundi, pasi që e zura në përqafim të një zeshkaneje këmbëgjatë nga klasa fqinje. Natyrisht Meli më kishte ngushëlluar dhe më kishte qëndruar afër. Pas Agonit pata edhe disa lidhje të tjera, por asnjërën prej tyre serioze. Vitet kalonin, e unë përfundova shkollën e mesme të ekspertes së kozmetikës, gjeta punë në profesionin tim dhe mora me qira një banesë të vogël dhe isha e kënaqur me jetën time. - Pra, a po del me neve sonte, apo jo?

Është dita e Valentinit - vazhdonte të insistonte Meli. - Mu për këtë shkak edhe nuk më dilet. Më mirë të rri në shtëpi, sesa t'i shikoj çiftet e dashuruara gjithandej meje, e unë e vetme si qyqe. - Përgatitu për në orën shtatë. Të presim para ndërtesës - tha dhe u largua. Duke shkuar më tha që të vishja minifund dhe bluzë me dekolte, çka më bëri të qeshja. Unë thuajse gjithnjë vishja pantallona dhe këpucë sportive, kurse flokët i mbante të lidhura bisht. Meqë isha eksperte e kozmetikës, megjithatë i kushtoja vëmendje fytyrës dhe thonjve, prandaj të gjithë më thoshin se kisha pamje të freskët dhe të shëndetshme, vetëm se duhej edhe të vishesha më shumë si femër. E, unë sikur ikja nga feminiliteti im. Megjithatë, i lëshova pak pe Melit. E vesha një bluzë me dekolte, pantallonat e ngushtë dhe takat e larta, e flokët i lija të më binin lirshëm. Meli do të donte që të vishesha edhe më shumë si femër.

 Opa, dikush qenka përpjekur rreth pamjes së vet! - komentoi menjëherë Inva, e të tjerat e mbështetën duke buzëqeshur. - Mos e teproni, vajza. Jam unë, vetëm se i dëgjova paksa këshillat e Melit. - Ishte momentin i fundit që të më dëgjoje dhe ta vije në pah bukurinë tënde, e jo ta fshehësh vazhdimisht nën rrobat e gjera - tha Meli. Me atë disponim të mirë, së pari shkuam që të hanim peshq, e edhe për të pirë. Vetëm Valentina nuk pinte, meqë ishim marrë vesh që ajo të voziste. Duke qenë se disa vite më parë një e njohur e jona kishte vdekur për shkak të vozitjes nën ndikimin e alkoolit, çdo herë e caktonim njërën prej nesh, që të mos pinte dhe të na voziste. Meqë nuk e kisha unë radhën, piva pak më shumë se rëndom. Më pas shkuam në një lokal të afërt. Nuk kishte shumë tollovi, gjë që më pëlqente shumë, meqë nuk i preferoja klubet me shumë tollovi. (vijon)

(Kosova Sot Online)