Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (91)

  • E.K /
  • 22 February 2021 - 15:55
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (91)

Sikur që ndodh shpesh në raste të këtilla, të lënduarit a të plagosurit më së miri e kuptojnë seriozitetin e gjendjes së tyre në bazë të reagimit të të tjerëve. Meqë fytyra e Kujtimit shprehte frikë të madhe dhe dhembshuri në të njëjtën kohë, Moshe me gjasë konstatoi se ishte i plagosur për vdekje. - Kujtim, më beso... kjo është vdekja që kam ëndërruar... - Profesor, mos fol... Heeej... a e thirri ndokush ndihmën e shpejtë? Askush nuk iu përgjigj, meqë ende mbretëronte tollovia e shkaktuar nga ikja e gazetarëve dhe nga kapja e Valentinës, e cila vazhdonte që të kundërshtonte me këmbë e duar, si dhe me të shara e bërtitje të shumta. - Kujtim... - Profesor, mos fol të lutem... mos u lodh... tani do të vijë ndihma... - Kujtim, më dëgjo... Kujtimit iu mbushën sytë me lot. Pamja e Moshes së plagosur me të vërtetë e preku shumë. Ai ia kishte shpëtuar jetën. - Ti nuk më njeh... mua... Kujtim. Tani Moshe pushoi së buzëqeshuri. Fytyra e tij mori pamje të trishtueshme. Mezi fliste për shkak të vështirësive në frymëmarrje. - Ti nuk e di... se... me këto... duar, unë kam... kam vrarë shumë njerëz të... pafajshëm... Kujtimi dëgjonte, duke mos ditur çka të thoshte, në fakt, as duke mos kuptuar atë që i thoshte Moshe.

Kam vrarë fëmijë... Kujtim! Tani ishin sytë e Moshes ata që u mbushën me lot. Ata e kishin humbur në tërësi shkëlqimin e tyre karakteristik derisa fytyra e tij ishte bërë e verdhë, si e xhenazes. Nga plagët vazhdonte t'i dilte gjak, një gjak i zi e i trashë, i cili rridhte me njëfarë përtese, por ama nuk ndalej. Kujtimi provoi të çohej, por nuk mundi. Ndjeu një therje të hatashme në vendin ku ishte plagosur. - Kujtim... - Hesht, profesor... tani vijnë mjekët! - Kujtim... dua ta dish se jam i lumtur që... që po vdes duke... duke shpëtuar një jetë... duke të të... shpëtuar... ty... - Oh, profesor... - Kuj...tim. Përfun...dimisht... e gjeta... e gjeta për...sëri... E gjeta... Zotin! Në fytyrën e Moshes u paraqit përsëri një buzëqeshje, e cila më pas u largua dalëngadalë, derisa sytë vinin duke iu mbyllur.

Pasi që Moshe lëshoi frymën e fundit, Kujtimi filloi të qante si fëmijë. Shikimi filloi t'i turbullohej nga lotët. Por, megjithatë arriti ta shihte atë njeriun misterioz që i ngjante aq shumë babait të tij, duke iu afruar me nxitim. Më pas iu errësua shikimi. I ra të fikët. Kishte humbur tepër gjak. x x x Pa se ishte i lidhur për karrigeje. Gjendej në mes të një salle të madhe. Drita ishte drejtuar kah ai. Papritmas, nga rreshti i parë u ngrit dikush dhe, nga gjysmë-errësira filloi t'i avitej. U tmerrua nga ajo që pa. E mbuluan djersë të ftohta. Ishte një E Marte. Me shpejtësi drejtoi shikimin kah të tjerët, për të parë se të gjitha ato ishin Të Marte. Nja pesë a gjashtë sosh. Të gjitha njësoj, sikur të ishin binjake. Trupmëdha, me vija të ashpra të fytyrës, me eshtra të dalë mbi sy, me flokë të shprishura dhe - gjysmë lakuriqe. Në një fron, që gjendej mbi to, rrinte ulur një tjetër krijesë, e ngjashme me to, por që nga vijat e fytyrës mund të konkludohej se ishte mashkull. "Djali i Të Marteve"?! Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot Online)