Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetë vjeçar? (5)

  • E.K /
  • 27 February 2021 - 17:41
Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetë vjeçar? (5)

Luan, lëre të qetë. A ke harruar se ti, kur ishe në moshën e tij, je sjellë njësoj, apo të paktën, ngjashëm - e mbrojta djalin. - Ndoshta, por nuk më kujtohet që kaq shumë kohë kam kaluar në telefon. Paramendo, aq shumë para të hidhen në lloç, për shkak të marrëzive të tyre. Bash më intereson se për çka bisedojnë aq gjatë? Për filma, muzikë, apo ndoshta për prognozën e motit? - bërtiste ai. Më pas ai iu kthye Dinit. - Më lirë ta qet ta nxjerrësh një biletë mujore deri te qyteti i asaj vajze, e më pas të bëni llaf sa t'ua dojë zemra. Më nuk dua që të ballafaqohem me shpenzime të këtilla - tha Luani duke bërtitur. - E, pasi po më thua, atëherë edhe unë po të them se ndoshta qysh këtë të diele do të shkoj te ajo - tha Dini, duke kërcyer papritmas nga vendi ku ishte ulur.

Ai iu afrua të atit dhe ia tha troç. - Saranda dhe unë duhemi dhe asgjë nuk mund ta pengojë dashurinë tonë! - tha ai me zemërim. Më pas u kthye dhe, pa thënë gjë tjetër, doli nga dhoma. Pash sesi Luani mbeti goxha i tronditur nga deklarata e tij. Kjo ishte hera e parë që Dini i kundërvihej të atit në një mënyrë kaq të haptë. - Qurrani i zanave! Çka ia merr mendja atij - mërmëriti me zemërim burri. - Luan, qetësohu. Kësaj here me të vërtetë e ke tepruar. Dini me të vërtetë është i dashuruar në Sarandën dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Ndoshta më së miri do të jetë që ne të dy të mos përzihemi në atë që nuk na takon - i thashë me butësi, pasi që vërejta shqetësimin në fytyrën e tij. - Hm, ndoshta ke të drejtë, por kjo nuk d.m.th. se nuk pata të drejtë në atë që thash. Kësaj here ai me të vërtetë e ka tepruar dhe njëherë e mirë duhet të mësohet që të jetë i përgjegjshëm - murmuriti ai. Nga ajo ditë në familjen tonë mbretëroi një heshtje e rëndë. Dini mbante inat dhe mezi përgjigjej shkurt kur e pyesnim diçka.

Shpresoja që ai të mos kishte menduar seriozisht kur tha se do të shkonte te Saranda atë të premte, derisa isha duke e bërë drekën. - Nënë, unë nesër do të shkoj te Saranda. A mund të më huazosh ca para? Kam kursyer pak, por nuk do të më mjaftojnë - tha me siklet. - Din, ti me të vërtetë dëshiron ta shohësh Sarandën, apo jo? - e pyeta, duke e matur me sy. Në sytë e tij pash një vendosmëri sikur kurrë më parë. - Në rregull, do të të ndihmoj, por duhet të më premtosh se do të jesh i mençur dhe do të përkujdesesh për vetveten. Menjëherë po i tregoj Deas se do të shkosh - thash duke e kapur telefonin. - Jo, nënë, me të vërtetë nuk ka nevojë. E di, do të doja ta befasoja Sarandën - më tha, duke buzëqeshur. - Ti je nëna më e mirë në botë. Mos u shqetëso, gjithçka do të jetë në rregull - më tha derisa ia jepja paratë.

Vikendi erdhi dhe shkoi. Kur u kthye Dini në shtëpi, pash se ishte më i lumtur se ndonjëherë më parë. Fytyra thjesht i shkëlqente dhe isha e lumtur për të. Por, thuajse një muaj më pas, vërejta sesi djali filloi të tërhiqej në vetvete. E humbi udhën në oborr, prandaj supozoja se mos kanë ndonjë problem me Sarandën. Edhe pse nuk e kisha idenë se për çka mund të bëhej fjalë, meqë bisedat e tyre të vazhdueshme në celular kishin filluar të më shkonin në nerva, vendosa që të mos e mundoja me pyetje të panevojshme. Nëse edhe kanë farë problemi, le ta zgjidhin vet. Nëse Dini do ta shihte të nevojshme, ai do të më kërkonte vetë ndihmë, mendoja. Sidomos pasi që më tha se nuk kishte kurrfarë problemesh në shkollë, unë nuk e pyeta më asgjë. (vijon)

(Kosova Sot Online)