Ngjarje e vërtetë: Dhëndri im i ardhshëm është tradhtar (1)

  • E.K /
  • 30 March 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Dhëndri im i ardhshëm është tradhtar (1)

Para se ta filloja bisedën, e shikova Pleuratin edhe një herë, meqë ditëve të fundit ai vazhdimisht ishte i mërrolur. - Nuk të shkon kohëve të fundit, a? Ndoshta do të mund t'i zgjidhnim këto probleme së bashku? - i thashë, duke pritur që të më tregonte se për çka bëhej fjalë. Pleurati ishte i fejuari im, e kohëve të fundit me të vërtetë ishte mërrolur së tepërmi. Më nervozoi lajmi që do ta kaloja pa të fundjavën parë pas tetë vitesh të jetës sonë të përbashkët. Nuk gëzohej lajmit se duhej që të shkoja për disa ditë në ndejën e ditëlindjes së dhëndrit tim të ardhshëm, në vilën e tij familjare. Skenderi dhe vajza ime Merita donin që ta publikonin datën e saktë të martesës së tyre, prandaj ftuan familjarët më të afërt. Një ngjarje e tillë do të duhej të ishte gëzim, por Pleurati ishte i shqetësuar, me gjasë pse nuk e kishin ftuar edhe atë. E shikoja goxha e befasuar, meqë në moshën tonë nuk do të duhej të kishte vend për inate për gjëra të tilla.

Por, gjatë bisedës së mëtejme kuptova se nuk ishte shkuarja ime në fshat shkaktari i vërtetë i pakënaqësisë së tij. - Me të vërtetë më befason me sjelljen tënde. Më trego njëherë e mirë se çka po ndodhë - isha e padurueshme. - Mirë. E pranova ofertën për vendin e punës për të cilin ëndërroj për një kohë të gjatë. Do të duhet që për disa vite të shkoj jashtë vendit - filloi ai. - Kjo është e mrekullueshme! - i thashë, duke ia uruar nga zemra. - Problemi qëndron te fakti se unë doja të shkoja në Gjermani, e ata po më dërgojnë në Japoni. Uh, sa larg, mendova, por nuk e thash këtë me zë.

A mund ta refuzosh këtë? A dëshiron që ta refuzosh një ofertë të tillë? - e pyeta me kujdes. - Ndoshta është më mirë që të martohemi dhe të shkojmë bashkë në Japoni. Çka mendon ti? A do të vijë me mua? - më pyeti, me një shikim plot pritje, E befasuar, i hapa sytë nga habia. Ishte e vërtetë se doja një jetë të përbashkët dhe të bëhesha gruaja e tij, por këtë nuk kisha planifikuar ta filloja në Japoni. Në këtë vend nuk kisha qenë kurrë, bile as që njihja ndokënd që kishte qenë atje, prandaj nuk mund të vendosja shpejt e shpejt. - Ti me të vërtetë di si ta bësh jetën interesante - kaq munda t'i thosha.

Vetëm dua të të bëj të lumtur - më përqafoi dhe më puthi me butësi. - Edhe kështu jam e lumtur: kam një vajzë të mrekullueshme, ne të dy kemi një lidhje të mirë. Udhëtimi në Japoni do të ma ndryshonte tërësisht jetën. Nuk jam e sigurt se do të mund të përshtatesha me një ndryshim kaq të madh. - Bëhu reale. Vajza jote së shpejti do të martohet dhe do të mbetesh e vetme. Në fakt, ne të dy do të mbetemi vetëm, gjë që do ta bëjë të njëjtë se a do të jetojmë këtu, apo në Japoni - mundohej që të ma mbushte mendjen ai. Më hutoi tërësisht.

E shikova në sy dhe pash se ai priste nga unë që të shkoja me të. Por, nuk mundja që shpejt e shpejt të vendosja që të shkoja në skajin tjetër të botës. - Të lutem, më jep më shumë kohë për të menduar - i thash, pas disa momentesh të qetësisë. E dija se, po të shkoja me të, jeta ime do të ndryshonte tërësisht, për çka nuk isha e gatshme. Më kujtohet se sa vështirë e kisha përjetuar shkurorëzimin nga burri im. Jeta e cila më pas kishte vazhduar vetëm me vajzën time Meritën, nuk ishte një jetë të cilën e kisha ëndërruar. Nga atëherë kishin kaluar dhjetë vjet, por mua më dukej sikur të kishte qenë dje. Merita ishte në vitet më të çmendura të adoleshencës, kur kishte nevojë për shumë dashuri dhe kujdes, e i ati i saj na braktisi. Më pas më duhej që të punoja tërë ditën, që të mund të kishim çka të hanim, që t'i blija vajzës ato gjëra që i kishin shoqet e saj që, të paktën, të mos i ndiente pasojat e ndarjes nga i ati. (vijon)

(Kosova Sot Online)