Roman dashurie: Ai i vërteti (22)

  • E.K /
  • 14 April 2021 - 15:34
Roman dashurie: Ai i vërteti (22)

KAPITULLI I TETËMBËDHJETË:

Ndonjë problem? Rinorit nuk po i hiqej dot nga fytyra çehrja e zbehtë. Buzëqeshi dhe u mundua të jetë zemërgjerë. - Jo, jo, nuk ka problem, pyet nëse do ta njoftoj me ty dhe të shkojmë në restorantin e tij. - Me të vërtetë? Ashtu të pyet? E shikoi, e vetëdijshme se ai po mendonte se kjo ishte gënjeshtër. Ishte e tensionuar nga të dyja anët, por se gjithmonë pyetej për çfarë është kjo e nevojshme që të gjendej në një situatë të tillë. - Nëse shpejton t'i lajmërohesh, mund të nisemi menjëherë? - Do të nisemi, kur ta kesh pirë birrën. Edhe më tutje po qëndronte prapa rolit të vet. 

Edhe dhjetë minuta, Në rregull. Dhjetë minuta nuk i kishte në dispozicion, për atë ajo ishte e vetëdijshme. Por se nuk kishte ndonjë arsye të mirë për t'i pakësuar. Kështu që ajo po qëndronte ulur dhe me vete po i numëronte sekondat. Më nuk biseduan. Kamerieri kishte sjellë llogarinë, por kjo ishte kaq e ngadalshme sa që aty kishte humbur disa minuta me vlerë. Në fund kishte pritur që të dilte nga restoranti. Iu desh që me çdo çmim ta përshpejtonte këtë ndarje dhe ta ndalonte të mos e përcillte deri te vetura. Ishte me fat pasi që kishte parkuar vetëm dhjetë metra larg nga aty. 

Nuk ke nevojë të më përcjellësh deri te vetura, ja ku është, po shihet nga këtu. - Nuk ka lidhje, edhe pak shëtitje deri te vetura do të më shkonte për shtati. Kështu nuk ia kishte dalë që ta bindte, kështu që kishte shpejtuar hapin, e vetëdijshme se ai përgjithmonë do të mbetet pas saj. - Duket se je për ngut. Edhe gjatë gjithë natës ke shikuar në orë. Po të pret dikush? Vajza u skuq e tëra. - Jooo, kush do të më priste pos nënës sime, por kështu si po flasim ne, mendoj se as ajo nuk do të më presë më. - Mu duk se këtë orën e fundit ishe shumë nervoze, thuajse dëshiron të shkosh, por se nuk e gjen arsyen. - Sikur të doja të shkoja, do të ta thosha. Për gjithë fatin e saj, gënjeshtrat i ndalën kur arritën te vetura. Menjëherë e ka hapur derën e veturës, por se dora e Rinorit në krahun e saj e ka ndaluar të futej brenda. 

Po shkon të takohesh me të dashurin, apo jo? Në fakt, edhe më herët ju është dashur të takoheni, por se isha unë ai që të kam prishur planet. - Po flet pa lidhje? Nuk është e vërtetë, nuk po takohem me të. - Ishte dashur të ma thuash, e jo çdo moment thuajse po pëlcet nga pritja. Është dashur të më lajmërosh dhe ta anulojmë darkën, e jo që në të gjitha mënyrat e mundshme të nxirresh prej meje dhe të shkosh. Kjo është e keqe Doruntina. E diti se e kishte kapur mat, por edhe më tutje nuk kishte dashur ta pranonte.

Kishte ngritur zërin dhe e shikonte në fytyrë. - A di çka, e keqe është që ti tri ditë para pushimeve më refuzove mua për të marrë me vete të dashurën tënde, për të cilën thoshe se ishte e mërzitshme dhe se nuk të interesonte më ajo. Kjo është e keqe, ta tradhtosh miken shkaku i një njeriut të pavlerë. E unë ty asgjë të keqe nuk ju kam bërë, nuk e kam anuluar darkën, sepse kam dashur të jam me ty, që pas një kohe të gjatë të takoj përsëri dhe të provoj ta ruaj miqësinë tonë. Me Drenin nuk takohem sonte, por edhe mundesh t'i futesh çfarëdo mendimesh që dëshiron në kokën tënde, megjithëse më nuk më ka mbetur, pothuajse nga dita në ditë gjithçka po digjet.

U nis të ulej në veturë. Nuk po ndihej rehat, Rinori gjithmonë ishte pjesa qendrore e jetës së saj, por se tashmë kishte Drenin dhe kjo i jepte forcë që as mikut më të mirë mos t'i lejojë t'ia kontrollojë jetën dhe sjelljet e saj. Por këto fjalët e fundit kishin ndikuar në Rinorin, sepse ai përnjëherë i kërkoi falje, e përqafoi fort. Derisa në disa sekondat tjerë koka e saj po pushonte në krahasorin e tij, po mendonte me veten se si do të dukej sikurse nëpër ato seritë spanjolle po të hasnin në Drenin dhe ta shihte në përqafim me një mashkull tjetër. Por, edhe po të vinte, nuk do të brengosej fort, së paku jo gjatë atyre sekondave, sepse ndihej sikurse një vajzë që e kishte gjetur mbrojtësin e vet.   

(Kosova Sot Online)