Roman dashurie: Ai i vërteti (21)

  • E.K /
  • 13 April 2021 - 15:53
Roman dashurie: Ai i vërteti (21)

Thjesht, nuk dinte çka të bënte. E, më pas, i ra ndërmend që të shkonte në WC, për t'i telefonuar Drenit dhe për ta lutur që t'ia jepte edhe një gjysmë ore. Ishte e sigurt se ai do të kuptonte, sepse atë nuk e mundonte fakti që nuk do t'ia dilte me kohë të shihej me të, por që nuk do të mund t'i telefononte me kohë, meqë ai mund të mendonte se ajo e kishte harruar. Disa herë kishte tentuar që të ngrihej, por Rinori ishte duke treguar me aq detaje rreth dy gjermanëve, të cilët i kishte takuar në hotel, saqë nuk dinte se kur ta ndërpriste. Tanimë ishte ora dhjetë e gjysmë në mbrëmje dhe Doruntina ishte e dëshpëruar.

E, atëherë cingëroi celulari i saj. Rinori menjëherë ia nguli sytë, gjë që bëri që ajo të mos e kapte menjëherë çantën për të shikuar në celular se kush e thërriste, meqë e dinte se ai duhej të ishte gjithsesi Dreni, e para Rinorit nuk mundte assesi që t'i thoshte ato fjalë që donte. Për këtë shkak vetëm shikonte si e humbur para vetes, duke u shtirë kinse nuk e dëgjonte fare cingërimën e celularit. Rinori e kapi çantën e saj dhe ia ofroi asaj. - Lajmërohu! Mund të jetë i dashuri yt! Në ato momente ajo mund të bënte be që Rinori e kishte pritur tërë këtë situatë. Nuk kishte alternativë. E mori celularin, duke u lutur që ai, në ndërkohë, të pushonte së rëni. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Bile, donte që të ngrihej e të fliste diku larg, ku nuk do ta dëgjonte Rinori, por kjo do të ishte dëshmia më e fortë se ajo ishte duke fshehur diçka nga ai. Nuk kishte çka të bënte tjetër, pos ta hapte celularin. Në anën tjetër të celularit nuk u dëgjua një zë i zemëruar, përkundrazi, Dreni fliste me një zë tejet të butë. - Unë pres, pres... shikoj disa herë a më punon celulari, por dashuria ime s'më thërret, që s'më thërret. E vetëdijshme se Rinori ishte duke përcjellë me vëmendje çdo veprim të saj, si dhe çdo fjalë që thoshte, Doruntina mundohej që të mos binte në grackën e rrenës së vetë. - Këtu jam, ende në darkë jemi.

Çka po bën ti? - Jam duke të pritur ty. Më ka sosur durimi dhe jam i dëshpëruar. Kur do të vish? - Nuk e di. Shpejt! - Sa shpejt? - Derisa ta pimë këtë pije. Do të të thërras kur të arrij. - Kur të arrish ku? Tani kishte filluar t'i turbullohej koka. - Paj, kur të mbaroj me darkën. - Në rregull, unë jam në qendër, në atë kafenenë ku jemi njoftuar me shokun tim. A do t'ia dalësh që të vish për 15 minuta? Aq mund të duroj pa të parë. - Mirë, në rregull. Sapo filloi të mendonte se gjithçka do të shkonte si më mirë, se Rinori nuk do ta ketë asnjë dëshmi se ajo e kishte gënjyer, se Dreni e kishte thirrur vetëm për t'ia uruar natën e mirë, por meqë ende nuk kishte arritur në shtëpi, këtë e kishte shtyrë për më vonë. 

E, nëse ti nuk vjen për 15 minuta, atëherë do të vij unë te ti. Kështu do të mund të njoftohem edhe me atë shokun tënd. - Urdhëro? Ku...? Atëherë iu kujtua se nuk i kishte treguar se në cilin restorant do të shkonte, prandaj u korrigjua me shpejtësi. - Mirë, një ditë do të të tregoj se ku gjendet ky restoranti ynë i preferuar. Do të dëgjohemi më vonë. - E di unë se ku gjendet ai restorant. Rastësisht kalova andej një orë më parë dhe e pashë veturën tënde. Restoranti quhet "Majestic", apo jo? Sikur në atë moment ta godiste rrufeja, nuk do të tronditej më shumë. U gjet në një kaos të vërtetë. Nuk mund të thoshte asgjë. - E sheh se i di të gjitha? Nëse ti nuk vjen për 15 minuta, do të vij unë atje. Nuk do të hyj, do të të thërras që të dalësh dhe do të të pres përpara restorantit. - Mos... Por, ai tanimë e kishte mbyllur telefonin. Ndjeu se gjendej në një situatë tepër kritike.   

(Kosova Sot Online)