Roman dashurie: Ai i vërteti (33)

  • E.K /
  • 25 April 2021 - 15:51
Roman dashurie: Ai i vërteti (33)

KAPITULLI NJËZETEPESË

Në korridor nuk ishte aq ngrohtë sikurse përjashta, madje ishte pak ftohtë, kështu që për një moment Doruntina u dridh. Ajo po shëtitej si një luan, nga dera në derë, nga muri në mur, duke pritur ndonjë lajm për nënën e saj. Por, tash e gjysmë ore thuajse mjekët e kishin harruar atë. Duhej të kishte durim. Kishte nevojë shumë për durim, kishte nevojë për dikë pranë vetes, të qëndrojë me të, që ta kapë për dorë dhe t'ia bëjë me dije se nuk është vetëm. Kishte frikë. Po, kishte frikë të tmerrshme se marrëdhënia e mirë me nënën e saj që kishte kohëve të fundit ishte një shenjë se kjo do të ndodhte. Ndoshta nëna e saj e kishte ndier këtë, por nuk ia kishte thënë. Nuk po mundej ta kalonte këtë e vetme. E kapi paniku se duhet ta ketë dikë pranë vetes. Për një moment u duk se ishte në çmendi. E kapi telefonin dhe e lajmëroi Drenin. Cingëroi kohë të gjatë para se të lajmërohej. 

Dreni, jam unë. - Po, e di shpirt. - Mund të vish në spital... Nëna është shumë e sëmurë. - Çfarë ka ndodhur? - Nuk e di. E kam gjetur pa ndjenja në banesë. Nuk e di nëse është e gjallë. Të lutem eja, të lutem. - Zemër, ti e di se jam në punë. Nuk mund ta braktis vendin e punës. Me qejf do të vija. Më vonë vij kur ta përfundoj punën. - E ku e ke vëllain? - Po përfundon disa obligime nëpër qytet dhe po blen disa materiale. Nuk do të kthehet shpejt. - Mbylle shitoren të lutem. Po të përgjëroj, se kam nevojë për ty. - Doruntina, ti e di se nuk mund ta bëj këtë. Kjo nuk është sportel që t'ua mbyll njerëzve para hundës së tyre. Nuk po mund të besonte, po ndihej se ishte krejt e vetme. - Mirë.

Nuk ka rëndësi. - Vij më vonë. - Nuk ka nevojë. Do të lajmëroj kur ta kuptoj çfarë është në pyetje. Tung. Këtë të fundit e tha vetëm sa për ta ndalë bisedën mirë, por e dinte se nuk e kishte në plan ta lajmëronte për atë që po ndodh. Rinori... ai e kishte ditëlindjen, e ajo e dinte se sa me zhurmë ai e feston ditëlindjen. Nuk do të guxonte t'ia prishte festën, madje as për një situatë të tillë, e sidomos tani kur nuk janë as miq të mirë, pas asaj ndarjes së tmerrshme. Kishte hequr dorë edhe nga thirrja për të. Pas gjysmë ore mjeku e kishte informuar se nëna e saj kishte pësuar një sulm në zemër dhe se ishte në gjendje shumë të rëndë. Zonjushë, ne po luftojmë për jetën e saj, por se nuk mund t'ju them asgjë. Shpresojmë që Zoti të ketë mëshirë dhe të mbijetojë. Mjekët po japin gjithçka nga vetja e tyre, por edhe ajo duhet të luftojë, e nuk e dimë nëse ka vullnet apo jo.

(Kosova Sot Online)