Ngjarje e vërtetë: Diktatori në shtëpinë tonë (4)

  • E.K /
  • 07 May 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Diktatori në shtëpinë tonë (4)

Ose… - Ndërroje programin, tani del seria ime! - Por, nënë, Vegimi dhe unë jemi duke i shikuar lajmet. - E, pse i shikoni lajmet? - Paj, që ta dimë se çka është duke ndodhur në botë. - E, kush fiton gjë nëse ju e dini se çka është duke ndodhur në botë? Ose… - Hana, ku po shkon? - Në kinema, me shoqen. - Shko më parë e ma sill një shurup kolli nga barnatorja. Diçka jam bllokuar e tëra. - Por, gjyshe, do të vonohem për në kinema. - Çka? Për ty paska më shumë rëndësi një film sesa fakti që unë mund të vdes nga kolli? Të gjithë ishim të frustruar. Shumë. Në fillim Vegimi e kishte më së vështiri që ta duronte terrorin e nënës, e unë isha gjithmonë njëfarë tampon zone, e cila e qetësonte situatën.

Por, meqë çdo gjë kishte në fund të fundit të bënte me mua, me kalimin e kohës nervat e mia filluan që të dëmtoheshin gjithnjë e më shumë. Një ditë i telefonova motrës, duke e lutur që të takoheshim në qytet. Më duhej që të bisedoja me të sy më sy. - Nëse së shpejti nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli, që ajo të largohet nga shtëpia jonë, unë do të çmendem! - thash duke e kapur kokën me duar. Lulja ishte tepër e mërzitur. - Ti e di se unë nuk mund ta marrë në shtëpi... - filloi ajo, por unë e ndërpreva menjëherë. - E di, këtë e kam të qartë, thashë duke bërë me kokë. - Por, ajo është aq e padurueshme, sa që do të na çmend të gjithëve. Vegimi dhe unë vetëm sa s'jemi ndarë. Lulja më shikoi e tmerruar. - Mirë, mirë. Ndoshta e teprova pak, por vetëm pak - thashë duke pirë pak kafe. 

Nuk ka ditë që nuk grindemi. Mund të mendosh se si më nguc me fjalë. Sikur ajo të ishte nëna e tij, atëherë ai do të heshtte, kurse kështu... Kështu isha unë ajo që duhej t'i përpinte të gjitha. Këtë e kishte të qartë Lulja edhe pa ia thënë unë. - Po kërkoj punë, por nuk është lehtë. Kam gjetur disa punë me gjysmë orari, por kjo më mjafton vetëm sa për të mbijetuar. Nuk mundem që ta ndaj as edhe një qindarkë për azil të pleqve. Filluam që të shikonim në largësi, që të dyja të paafta para situatës në të cilën ndodheshim. Lulja e qiti dorën e vet mbi timen. - Duro edhe pak. Disi ndjej se gjërat do të ndryshojnë së shpejti. Sapo ta zgjedh çështjen time financiare, do të zgjidhet edhe problemi yt… Kalonin ditët, javët, muajt, Lulja ende nuk kishte gjetur ndonjë punë me orar të plotë, e ne vazhdonim që të jetonim në ankth. - Nënë, banja përsëri është e zënë! Do të vonohem për në fakultet! Pse ajo e zen banjën kaq herët, kur është e lirë tërë ditën?

Për të kushedi satën herë Hana qëndronte e dëshpëruar para derës së mbyllur të banjës. - Unë jam në qenef! - u dëgjua zëri i nënës nga brenda. - A edhe këtu nuk mund të jetë njeriu i qetë, a? - Hana… duro. Lëre gjyshen që të mbarojë punë - mundohesha që ta qetësoja bijën time. - Pse ta lë? Ajo është brenda qe gjysmë ore. E ti, gjithmonë asaj ia mban anën! - Po, e vërtetë është - mu gjuajt edhe Luani. - Edhe mua dje më kritikonte pse dëgjoj muzikë me zë të lartë, e cila "i pengon gjyshes". Në vend që t'i thoshte asaj të shkonte në dhomën e vet. Me një shikim plot mërzi shikova Vegimin, por sytë e tij nuk manifestonin aspak mëshirë. Ai nuk tha asgjë, por në bazë të shikimit të tij ishte e qartë se edhe ai pajtohej me fëmijët. - Nënë… a mund të ngutesh pak, të lutem? Hana do të vonohet për në fakultet - përfundimisht trokita edhe unë, në mënyrë që ta tregoja besnikërinë ndaj familjes time. Por, këtë veprim, sikur gjithmonë, e pagova shtrenjtë. Mu në momentin kur doja që të trokitja edhe një herë, dera e banjës u hap me të shpejtë. (Vijon)

(Kosova Sot Online)